SHBA, takimi vjetor i lobit izraelit nis me protesta

Nën hijen e protestave, në kryeqendrën e SHBA-së Washington filloi takimi vjetor i Komitetit Amerikano-Izraelit të Çështjeve Publike (AIPAC), raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi i AIPAC, i cilësuar si “takimi më i madh i lëvizjes pro-izraelite” në SHBA, do të zgjasë tri ditë, ndërsa në të pritet të marrin pjesë dhjetëra mijëra persona.

Gjatë evenimentit, i cili mbështetet nga krahu republikan dhe ai demokratik i Kongresit Amerikan, pritet të diskutohet njohja e Kudsit si kryeqytet i Izraelit nga ana e administratës amerikane, reflektimet e njohjes së Lartësirave të pushtuara të Golanit si territor izraelit dhe tema në lidhje me sigurinë e Izraelit.

Kandidatët demokratë nuk marrin pjesë në takim

Shumë senatorë, të cilët do të garojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 kundër presidentit Donald Trump, nuk do të jenë pjesë e takimit. Në mesin e tyre janë senatorët Elizabeth Warren, Kamala Harris, Beto O’Rourke dhe Bernie Sanders.

Ndikimi i AIPAC-ut mbi Washingtonin së fundmi është bërë debati pas komenteve të kongresistes së parë muslimane me mbulesë, Ilhan Omar, e cila ka deklaruar se AIPAC blen anëtarët e Kongresit duke ofruar mbështetje ekonomike.

Komiteti, i cili në zanafillën e saj në vitet e 50-ta vepronte si një grup i vogël lobimi, sot donon miliona dollarë për Kongresin.

Sipas të dhënave në faqen “Open Secret”, e cila ndjek donacionet politike në SHBA, AIPAC bën donacione më të mëdha për demokratët në raport me republikanët.