SHBA rrezikon marrëdhëniet me Turqinë

Një ligjvënës i lartë turk, i cili gjithashtu është kreu i delegacionit turk në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Ahmet Berat Çonkar, u bëri thirrje SHBA-ve që të ndryshojë vendimin për krijimin e një force kufitare në Siri ose në të kundërtën do të rrezikojnë marrëdhëniet me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Përmes një deklarate me shkrim, Çonkar kritikoi vendimin e koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it, të udhëhequr nga SHBA-të, për të krijuar një forcë të sigurisë kufitare prej 30.000 trupash në veri të Sirisë, që do të drejtohej nga SDF-ja, një grup i dominuar nga terroristët e PKK/PYD.

Çonkar, i cili poashtu është zëvendës i Partisë qeverisëse turke të Drejtësisë për Zhvillim (AK Parti), tha se krijimi i një force të sigurisë kufitare me SDF-në hedh poshtë “angazhimet dhe deklaratat e SHBA-ve”.

“(Ajo) do të përbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit tonë dhe rrjedhimisht NATO-s”, theksoi ai, duke u bërë thirrje SHBA-ve “të ndryshojnë vendimin e tyre para se marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve dhe Turqisë të dëmtohen në një mënyrë të pariparueshme”.

Ai theksoi “vendosmërinë e Turqisë për të eliminuar çdo kërcënim për sigurinë e saj kombëtare dhe angazhimin e saj ndaj integritetit territorial të Sirisë”.

Të shtunën e kaluar, forcat turke të sigurisë goditën disa objektiva të PKK/PYD në Afrin në veri të Sirisë për të parandaluar krijimin e një “korridori terrorist” përgjatë kufijve të Turqisë.

Operacioni në Afrin ndjek operacionin e suksesshëm shtatë-mujor të ofensivës “Mburoja e Eufratit”, e cila përfundoi në muajin mars të vitit të kaluar.

Koalicioni ndërkombëtar lëshoi një deklaratë me shkrim në disa media, ku tha se po punonte me SDF-në për të ngritur dhe trajnuar një forcë siriane të mbrojtjes së kufirit.

Turqia një kohë të gjatë ka protestuar kundër përkrahjes që SHBA-të i japin PKK/PYD-së, degës siriane të organizatës terroriste të PKK-së, si dhe krahun e saj ushtarak PYG, ndërsa Washingtoni e sheh atë si një aleat të besueshëm në luftën e saj kundër DEASH-it në Siri.

E listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe nga BE-ja, PKK ka zhvilluar një fushatë terroriste kundër Turqisë për më shumë se 30 vite.

Afrin, një rajon i Halepit pranë kufirit turko-sirian, është nën rrethim nga organizata terroriste PKK/PYD.