SHBA, prokurorët e 17 shteteve akuzojnë administratën e Trumpit

 Prokurorët nga 17 shtete federale amerikane kanë akuzuar administratën e presidentit amerikan Donald Trump për politikën e diskutueshme të emigracionit që ndan fëmijët nga familjet që kanë hyrë ilegalisht në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndër prokuroritë që kanë ngritur akuza kundër administratës Trump janë edhe ato të New Yorkut, Kalifornisë dhe Washingtonit.

Aktakuza prej 128 faqesh të cilën e pranoi Gjykata e Seattle-it, thotë se politika e Trumpit shkel dispozitat kushtetuese mbi barazinë, standardet e azilit federal dhe çështje të tjera ligjore në SHBA.

Prokurorja shtetërore e New Yorkut, Barbara Underwood në një njoftim me shkrim ka potencuar se ndarja e fëmijëve nga prindërit paraqet sjellje jonjerëzore, të pandërgjegjshme dhe të paligjshme.

“Ne kemi ngritur aktakuzë për të ndaluar këtë praktikë. Ndarja nga prindërit dhe dërgimi i tyre në vende qindra kilometra larg fëmijëve shkakton trauma të mëdha. Praktika të tilla nuk janë të përshtashme për vendin tonë. Nuk do të shohim me qetësi se si administrata e Trumpit shkel Kushtetutën tonë”, tha Underwood.

Trump, pak ditë më parë nën presionin e publikut vendas dhe të huaj, nënshkroi një dekret që pezullon përkohësisht praktikën e diskutueshme për ndarjen e fëmijëve nga familjet që kaluan ilegalisht kufirin jugor të SHBA-së.

Po ashtu edhe Kongresi i SHBA-së ka ngritur një nismë për t’i dhënë fund kësaj praktike.

Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Kristen Nielsen më herët tha se autoritetet amerikane në komplekset e parapara mbajnë afër 2000 fëmijë të cilët ishin ndarë nga familjet emigrante në prill dhe maj të këtij viti.

Ajo tha se raportet e medias dhe filmimet në lidhje me kushtet e këqija në të cilat këta fëmijë qëndrojnë nuk janë të sakta, por se atyre u janë siguruar kushte dhe të drejta adekuate.