SHBA nuk largohet nga Afganistani, por perkundrazi…

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtojë trupat amerikane në Afganistan si pjesë e strategjisë së tij të re për rajonin. Sipas tij, tërheqja e nxituar e Shteteve të Bashkuara është një ftesë për terroristët, ndërkohë që me Afganistanin duhen shmangur gabimet e bëra në Irak.

Presidenti Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e shtimit të trupave amerikane në Afganistan si pjesë e strategjisë së tij të re për rajonin, duke argumentuar se një tërheqje e nxituar e Shteteve të Bashkuara do të linte një boshllëk për t’u plotësuar nga terroristët.

Përkundër instiktit të tij fillestar që forcat amerikane të largoheshin, Trump vendosi “të qëndronte dhe të luftonte” për të shmangur kështu gabimet e bëra në Irak. Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se Amerika do të punojë me qeverinë afgane për sa kohë sheh angazhim dhe progres. Por Talebanët u përgjigjën duke thënë se Afganistani do të kthehet në “një tjetër varrezë” për Shtetet e Bashkuara, në rast se trupat amerikane nuk tërhiqen.

Trump bëri të qartë se pret që aleatët e tij ekzistues ta mbështesin në strategjinë e tij të re. Ai kërkoi që kontributet e vendeve të shtohen përkrah atyre amerikane. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis konfirmoi se disa aleatë të Shteteve të Bashkuara tashmë janë angazhuar në shtimin e trupave të tyre.

Sidoqoftë, Trump nuk ka bërë të ditur ekzaktësisht sa trupa amerikane do të shtohen në Afganistan. Presidenti vetëm deklaroi se do të ketë një përshkallëzim në luftën kundër grupeve të ngjashme me al-Qaedan dhe ISIS-in.