SHBA ndërton dy baza të reja në rajonin e pasur me naftë në Siri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë nisur punimet për vendosjen e dy bazave të reja në provincën e pasur me naftë në Siri, Dejrizor, raporton Anadolu Agency (AA).

Administrata amerikane ka shtuar përforcimet rreth provincës Dejrizor pasi javën e kaluar njoftoi se do të forcojë praninë e saj ushtarake në fushat e naftës në Siri.

Sipas burimeve zyrtare, SHBA ka nisur punimet për ndërtimin e bazave në zonën e Brigadës 113 në Dejrizor dhe në afërsi të fshatit Sur.

Në dy rajonet është vërejtur prani e shumë mjeteve të ndërtimit, ndërkohë që mësohet se SHBA në këto rajonet ka dërguar 250-300 trupa shtesë, mjete të blinduara, armë të rënda dhe municione.

Washingtoni dërgoi një autokolonë prej 170 automjetesh në Dejrizor më 28 tetor, edhe pse më herët relativisht zvogëloi praninë ushtarake në veri të Sirisë nga nisja e operacionit antiterrorist turk “Burimi i Paqes”. Ky përforcim u cilësua si përforcimi më i madh i SHBA-së nga Iraku brenda Sirisë.

Më 23 tetor, presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se vendi i tij ka marrë nën garanci fushat e naftës në lindje të Sirisë dhe se disa ushtarë amerikanë do të ngelnin në këtë rajon.

SHBA aktualisht përdor si bazë fushën më të madhe të naftës në vend, Omar, ndërsa po ashtu edhe në Dejrizor ka baza në tri pika të ndryshme.

Pjesa perëndimore e Dejrizorit gjendet nën kontrollin e forcave të regjimit të Bashar al-Asadit, kurse pjesa lindore, ku gjenden burimet e naftës, është e pushtuar nga organizata YPG/PKK.