SHBA merr vendimin drastik ndaj Ankarasë

Turqia nuk mund të jetë më pjesë e programit të avionëve amerikanë F-35. Ky është vendimi që ka deklaruar të mërkurën administrata e Presidentit Trump.

Blerja e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 ka krisur në mënyrë të paprecedentë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe siç thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë kjo “e bën të pamundur vazhdimin e përfshirjes së vendit në programin F-35”.

“F-35-a nuk mund të bashkëjetojë me një platformë ruse të grumbullimit të informacioneve të klasifikuara që mund të përdorej për të mësuar rreth aftësive të avancuara të avionit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, e cila i referohet sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 si një mjet me të cilin Rusia mund të marrë informacion mbi aftësitë ushtarake të SHBA.

Kjo lëvizje e Pentagonit do të detyrojë SHBA të gjejë furnizues të ri për pjesët e avionit F-35 që prodhoheshin në Turqi.

Presidenti Donald Trump njoftoi të martën se blerja e sistemit rus S-400 nënkupton se Turqia nuk do të lejohet të blejë asnjë aeroplan F-35.

Ende nuk është njoftuar nëse SHBA do të vendosë sanksione ekonomike ndaj Turqisë për vendimin e saj.

Në deklaratën e të mërkurës SHBA thotë gjithashtu se Turqia kishte patur shumë shanse për të blerë sistemin amerikan Patriot.

“Kjo administratë ka bërë oferta të shumta për ta bërë Turqinë ndër vendet kryesore për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot,” thuhet në deklaratë.

Çarja e marrëdhënieve të SHBA me Turqinë nuk është vetëm një problem bilateral por ai pritet të përçojë valë shoku në NATO.