SHBA largohet nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë tërhequr nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, duke e quajtur atë një “pellg për anësi politike”, që ka në shenjë vetëm Izraelin në veçanti, kurse injoron mizoritë në vendet e tjera.

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley ka thënë se ky institucion me bazë në Gjenevë, është tallje për të drejtat e njeriut. I formuar në vitin 2006, ky këshill është kritikuar se ka lejuar që anëtarë të bëhen shtete me të dhëna shqetësuese për respektimin e të drejtave të njeriut, raporton BBC, përcjell KosovaPress.

Haley bëri të ditur këtë vendim në një konferencë të përbashkët me sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, i cili e quajti këshillin “mbrojtës të dobët të të drejtave të njeriut”.

Sekretari gjeneral i OKB-së, Antonio Guterres, përmes një njoftimi i është përgjigjur largimit të SHBA-ve, duke thënë që do të preferonte më shumë që Amerika te qëndronte në këshill.