SHBA, kush preket nga rregull i ri për emigrantët

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump njoftoi të hënën një rregull të ri që mund t’u mohojë vizat dhe qëndrimin e përhershëm qindra mijëra njerëzve, nëse janë tepër të varfër.

Rregulli, i cili pritej prej një kohe të gjatë, hyn në fuqi më 15 tetor dhe refuzon aplikantët për viza të përkohshme ose të përhershme nëse nuk përmbushin standardet e të ardhurave ose nëse varen nga asistenca publike, siç janë pagesë papunësie, kupon ushqimor apo shërbim mjekësor falas.

“Një ndryshim i tillë do të kërkonte që emigrantët të mbështeten në veten e tyre dhe të mos varen nga burimet publike për të përmbushur nevojat, por të mbështeten tek aftësitë e tyre, si dhe te burimet e anëtarëve të familjes, sponsorizuesve dhe organizatat private,” thuhet në një njoftim të qeverisë.

“Parimi në të cilin mbështet kjo është një vlerë e vjetër amerikane që quhet mbështetje tek vetja jote,” tha një zyrtar.

Zyrtari tha se rregulli nuk ndikon në programet e emigracionit me bazë humanitare për refugjatë dhe azilkërkues dhe përmban përjashtime për viktimat e trafikimit apo viktimat e dhunës në familje. Përjashtimet për këto kategori janë të mandatuara nga Kongresi.

Rregulli i ri gjithashtu nuk ndikon në emigrimin me bazë familjare, pasi shtetasve që sponsorizojnë anëtarët e familjes për një kartë të gjelbër edhe tani u kërkohet të vërtetojnë se janë në gjendje të japin ndihmë financiare për të ardhurit.

Reforma është pjesë e përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të frenuar emigracionin e ligjshëm dhe të paligjshëm, një çështje që ai e ka vënë në themel të presidencës së tij./ Opinion.al