SHBA kërcënon Rusinë

Rusia ishte në qendër të kritikave në takimin që ministrat e jashtëm të NATO-s mbajtën të martën (4 dhjetor) në Bruksel. Shefi i NATO-s kritikoi Moskën se po cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve si Gjeorgjia dhe Ukraina për të zgjeruar kufijtë e vet.  Ndërsa Shtetet e Bashkuara kërcënuan tërheqjen nga traktati i vitit 1987 me Rusinë nëse kjo e fundit vazhdon të mos i përmbushë obligimet e saj.

Siguria në rajonin e Detit të Zi ishte fokusi i takimit që ministrat e Jashtëm të NATO-s mbajtën të martën në Bruksel.

Sekretari i përgjithshëm i organizatës së Atlantikut Verior, Jens Stoltenberg, kërkoi pas takimit të ditës së parë që Ukraina dhe Rusia të ulin tensionet pas konfliktit të fundit detar në Detin e Azovit.

Duke shprehur solidaritet me Ukrainën, shefi i NATO-s kritikoi Rusinë se po cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve si Gjeorgjia dhe Ukraina për të zgjeruar kufijtë e vet.

Stoltenberg: “Katër vjet më parë, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme gadishullin e Krimesë. Tani Rusia po përpiqet të përdorë Krimenë për të zgjeruar influencën e vet dhe për të vënë nën kontroll Detin e Azovit. Rusia duhet të lejojë lirinë e lëvizjes, të respektojë kufijtë e fqinjve dhe të tërheqë prezencën ushtarake në Ukrainë dhe Gjeorgji.”

Një tjetër çështje që tërhoqi vëmendjen e vendeve anëtare ishte kërcënimi i Shteteve të Bashkuara drejtuar Rusisë për tërheqjen nga Traktati për Armët Bërthamore të firmosur në vitin 1987.

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, tha të martën se Rusia nuk i ka përmbushur detyrimet e saj dhe ka vijuar të prodhojë raketa balistike me rreze të mesme që përbëjnë rrezik për të gjithë Europën.

Kombet tona kanë një zgjidhje. Ose të varrosin kokat tona në rërë ose të ndërmarrim veprime ë përgjigje të mospërfilljes flagrante të Rusisë për kushtet e shprehura të Traktatit të INF “, tha Sekretari për Shtetin Mike Pompeo.

Moskës i është lënë një afat prej 60 ditësh për të shkatërruar batalionet ekzistuese të raketave që shkelin traktatin dhe për të provuar që nuk disponon armë të tjera.

Marrëveshja bilaterale mes Moskës dhe Washingtonit ndalon raketat balistike me rreze 500- 5500 km. Por Rusia thotë se vargu i sistemit të ri raketor nuk tejkalon 500 kilometra./Ora News