SHBA-ja nuk konfirmon vdekjen e liderit të ISIS-it

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk mund të konfirmojnë pohimet se kreu i DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi, është i vdekur, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne vlerësojmë se është i gjallë, përderisa nuk konfirmohet e kundërta. Tani, unë nuk mund të pohoj të kundërtën”, u tha Mattis gazetarëve në Uashington.

“Sikur ta dinim, do ta ndanim me ju informacionin. Aktualisht nuk mund të konfirmoj ose të përgënjeshtroj”, tha më tej ai.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani të Madhe është grupi më i fundit që pretendon se Bagdadi është i vdekur, duke u bazuar në disa informacione për të cilat thotë se janë marrë nga burime brenda qytetit të Sirisë, Deir ez-Zour.

Muajin e kaluar ishte Rusia ajo që pretendonte se ka vrarë Baghdadin, në një sulm ajror në periferinë jugore të “kryeqytetit” të DEASH-it në Siri, Raka.

SHBA-të kanë vendosur një shpërblesë prej 25 milionë dollarë për kokën e Bagdadit.