SHBA, fillon procesi i mbylljes së shkollave të Gylenit

Bordi Arsimor në Los Angeles të SHBA-ve ka dhënë vendimin për “mos rinovimin e kontratës” ndaj tre shkollave me kontratë Magnolia (Charter) të cilat theksohen se janë të lidhura me organizatën terroriste FETO. Këto shkolla të cilat kanë të drejtën e apelimit, nëse nuk plotësojnë kushtet financuese të nevojshme deri më 1 korrik 2017 do të mbyllen plotësisht, raporton Anadolu Agency (AA).

Bordi Arsimor në Los Angeles ka marrë vendimin me 6 vota pro dhe 1 abstenim për mos rinovimin e kontratave për tre shkolla Magnolia të lidhura me FETO-n, të cilat operojnë në Los Angeles në rajonin e Californisë.

Anëtarët e Bordit të cilët kanë dëgjuar për më shumë se dy orë drejtuesit e shkollës dhe nxënësit e ndodhur në një sallë, para votimit kanë nënvizuar se “shkolla nuk ka bërë pjesën e saj për sa i përket llogari-dhënieve financiare”.

Gjithashtu anëtarët e bordit kanë theksuar se disa dokumente të rëndësishme të kërkuara shkollës nuk i janë dërguar institucioneve ose i janë dërguar shumë vonë dhe se kjo gjë është përsëritur më shumë se një herë.

Nga 7 anëtarët 6 prej tyre thanë “të mbyllet”

Pas votimit të kryer nga bordi me 7 anëtarë u mor vendimi që mos të rinovohet marrëveshja e tre shkollave Magnolia ku 6 anëtarë kanë votuar pro dhe një anëtar ka abstenuar.

Këto shkolla Akademia Shkencore Reseda Magnolia 1, Akademia Shkencore Van Nuys Magnolia 2 dhe Akademia Shkencore Carson Magnolia 3, kanë të drejtën e apelimit në lidhje me të drejtën e rinovimit të kontratave pas vendimi të refuzimit dhe nëse nuk plotësojnë kushtet financuese të nevojshme deri më 1 korrik 2017 do të mbyllen plotësisht.

Ndërsa drejtuesit rajonalë të Shkollave të Bashkuara të Los Angeles më parë kishin përcjellë me postë elektronike qëndrimin se do të bëhej “propozimi për refuzimin e kërkesës për rinovim”. Një zyrtar nga menaxhimi i shkollave rajonale për mediat lolake kishte bërë vlerësimin se “parregullsitë financiare në Shkollën Magnolia dhe sjellja e shumë mësuesve dhe punonjësve nga Turqia me vizën e punës H-1B janë elementët kryesorë”.

Lidhja e drejtuesit të shkollës me Gülenin 

Në fund të muajit gusht kryetari i bordit drejtues të shkollave Magnolia, Ümit Yapanel, në një intervistë për gazetën Times duke pranuar lidhjen me kreun e FETO-s Fetullah Gülen, kishte deklaruar se “i beson mësimeve të Gülenit dhe se ai vetë është burim i frymëzimit për të”.

Shkollat Magnolia të cilët ende ofrojnë arsim në 10 vende të Californisë, njihen si një prej rrjeteve më të rëndësishëm të shkollave të FETO-s në SHBA.