SHBA: Autokolona e goditur nga koalicioni drejtohej nga Irani

Autokolona ushtarake e forcave pro-regjimit në Siri, që u godit nga koalicioni anti-DEASH i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë e drejtuar nga Irani, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ishte e domosdoshme”, u tha Mattis gazetarëve në Pentagon, për të shtuar se besojnë se forcat e goditura kishin qenë të drejtuara nga Irani”.

Koalicioni tha se forcat aleate të presidentit sirian Bashar al-Asad të enjten po përparonin mirë brenda një zone jokonfliktuale, pas çka forcat e SHBA-vë që veprojnë në veriperëndim të qytetit al-Tanf u detyruan ti qëllojnë.

Në njoftimin e koalicionit thuhet se janë goditur “forcat pro-regjimit”, që është një kategori e gjerë që mund të përfshijë Hezbollahun libanez, forcat dhe milicinë iraniane dhe forcat siriane të njohura si shabiha.

Koalicioni njofton se para se të qëllojë objektivat e autokolonës kishte ndërmarrë një veprim të “shfaqjes së forcës ajrore” duke përdorur të shtëna paralajmëruese, por se të njëjtat nuk arritën të ndalojnë përparimin e autokolonës.

Thuhet se as përpjekjet ruse nuk kishin rezultuar të suksesshme për të ndaluar përparimin e trupave drejt qytetit. “Ne besojmë se ata hynë në atë zonë përkundër këshillave ruse”, tha Mattis.