SHBA, Apeli hodhi poshtë kërkesën e Trumpit për dekretin kundër emigracionit

Gjykata amerikane e Apelit ka hedhur poshtë të dielën kërkesën e Departamentit të Drejtësisë i cili ka kërkuar që të rivendoset në fuqi rregullorja për ndalesë të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të refugjatëve dhe shtetasve të shtatë shteteve me shumicë muslimane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të shtunën administrata e Trumpit ankimoi në mënyrë zyrtare verdiktin e gjykatës federale e cila bllokoi ndalesën që e nënshkroi Trump, me të cilën nuk lejohej hyrja në SHBA për shtetasit e shtatë shteteve me popullsi kryesisht muslimane.

Më herët, Trump premtoi se do të kthejë prapa vendimin e lëshuar nga gjykatësi federal, James Robart.

Gjykata e Apelit në San Francisco refuzoi ankesën dhe kërkoi nga shteti federal Washington si dhe nga administrata e Donald Trumpit që deri të hënën pasdite të dorëzojnë më shumë argumente lidhur me ankesën e tyre.

Më 20 janar Donald Trump zyrtarisht mori postin e presidentit të SHBA-ve dhe gjatë javës së parë të detyrës, ai nënshkroi 15 dekrete të cilat i kishte premtuar në fushatë.

Në mesin e tyre është edhe dekreti me të cilën përkohësisht ndalohet hyrja në shtet të refugjatëve dhe qytetarëve nga të ashtuquajturat “shtete që kanë lidhje me terrorizmin”, Iraku, Libia, Siria, Irani, Sudani, Somalia dhe Jemeni.