Serwer: Serbia ta pranojë Kosovën, nëse do anëtarësim në BE

Eksperti amerikan i politikave ndërkombëtare, Daniel Serwer, ka thënë se vendet e Bashkimit Europian nuk do të lejojnë që Serbia të bëhet anëtare e BE-së pa zgjidhur çështjen me Kosovën, që është njohja e pavarësisë së saj, njofton Klan Kosova.

“Serbia duhet të kuptojë se, ose tani ose në të ardhmen, nuk ka asnjë shans për anëtarësim në BE, pa e pranuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, por de facto Serbia e ka njohur Kosovën me marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar nga Beogradi dhe Prishtina”, ka thënë Serwer për gazetën serbe Blic.

Ish-diplomati i Departamentit të Shtetit, i cili është shumë i informuar në lidhje me kushtet aktuale në shtetet e ish-Jugosllavisë, e që tani është ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Washington, ia thënë se autoritetet serbe gabojnë nëse mendojnë se procesi i anëtarësimit në BE do të përfundojnë më të mirë për Serbinë se sa skenari që ai parashikon.

“Në fund të procesit, Beogradi do të jetë nën presion të madh për të hequr të gjitha pengesat për anëtarësim, duke përfshirë edhe njohjen e Kosovës”, ka thënë ai.