Serbia shkel marrëveshjet e Brukselit, MPJ paralajmëron reciprocitet

Serbia jo vetëm që po ndalon kosovarët të shkelin në këtë shtet, por edhe po fillon me procedura gjyqësore ndaj tyre. Avokatët vlerësojnë se kjo është shkelje e marrëveshjeve të arritur anë Bruksel, e në MPJ paralajmërojnë se mund të ketë reciprocitet.

Dy herë brenda pak ditësh, Serbia ia ndaloi hyrjen në këtë shtet, ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave, Hivzi Islamit.

Kjo është në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel, gjatë dialogut shumëvjeçar mes dy shteteve.

Për ndalimin e tij, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ky institucion ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të ndërpresin veprimet e tilla ndaj shtetasve të Kosovës. Ndërsa ka paralajmëruar edhe për reciprocitet.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacollit, ka thënë se janë duke diskutuar edhe me përfaqësues të BE-së lidhur me këtë çështje, në mënyrë që të mbrohen parimet themelore të të drejtave.

“Jemi duke përcjellë me vëmendje këtë çështje dhe nëse Serbia përsërit raste të tilla në vazhdimësi, do të veprojmë në bazë të parimit të reciprocitetit”, tha ai.

Kohë më parë është raportuar edhe për raste të ngjashme ku Serbia ka ndaluar e madje ka ngritur aktakuza për qytetarë të Republikës të Kosovës.

Më 21 qershor të këtij viti, Prokuroria Publike e Beogradit ka ngritur aktakuzë ndaj gazetarit serb Ivan Maksimoviq, i cili jeton në Mitrovicën Veriore, nën juridiksionin e Republikës të Kosovës.

Ndërsa hiq më larg se 5 ditë më vonë, gjegjësisht më 26 qershor, është ndaluar dhe arrestuar në Jarinje qytetari Fahri Jusufi, teksa po udhëtonte me një të afërm.

Për krejt këto, avokati Azem Vllasi thotë se Serbia nuk po përfillë dhe zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Vllasi thotë se Kosova duhet të insistojë në arritjen e një marrëveshjeje obligative për të dyja palët, që të përcaktojnë kompetencat e secilit shtet, duke mos lejuar që dikush t’i ikë përgjegjësisë penale për veprat e kryera.

Ai thotë se Serbia nuk ka të drejtë as ta ndalojë shtetasin e Kosovës, as ta fillojë procedura gjyqësore, e as t’i shqiptojë dënime.

“Në Bruksel, para kësaj fazës përfundimtare që po përmendet tash, duhet të jetë një marrëveshje obligative e nënshkruar nga të dyja palët që për raste të tilla është kompetent vetëm sistemi gjyqësor i Kosovës dhe jo i Serbisë. Kjo nuk do të thotë që dikush që ka kryer vepra pa marrë parasysh ku, t’i ikë përgjegjësisë. Por është fjala për kompetenca të sistemit gjyqësor që i ka mbi qytetarët e Kosovës dhe nuk mund të jetë kompetent sistemi gjyqësor i Serbisë për qytetarë të Kosovës, qofshin ata shqiptarë, serbë, apo të tjerë dhe për çfarëdo vepre që të jetë në pyetje, me një marrëveshje të tillë duhet të rregullohet edhe ajo që askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë penale për një vepër që e ka kryer”, tha ai.

Këto vepra të palës serbe, Vllasi thotë se mund të ngjallin frikë te qytetarët e Kosovës, pasi ka fakte se Serbia po vepron jashtë rregullave.

“Derisa Serbia të sillet në këtë mënyrë, shtetasit, qytetarët e Kosovës kanë arsye të frikësohen sepse Serbia jashtë këtyre rregullave. Do të thotë duke i dhënë të drejtë vetes që nuk i takon, me i proceduar shtetasit e Kosovës, ka lëshuar edhe fletarreste ndaj personaliteteve publike që janë në funksione shtetërore, e lidhur me rrethanat e luftës. Edhe për rrethana të luftës, për shtetasit e Kosovës tri kompetenca ligjore ka: një e kishte Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime të luftës, ku janë proceduar disa njerëz tanë, rasti Haradinaj, Limaj e disa tjerë me ta edhe për rrethana tjera; dhe është dashur të arrihet një marrëveshje, që Serbia nuk ka të drejtë as të lëshojë fletarreste për persona të Kosovës, qoftë edhe nëse ka prova që janë kryer vepra që duhet të procedohen nëpër gjykata, por ato duhet t’i bëjë Kosova për shtetasit e vet. Kompetenca e dytë është e vet gjykatave të Kosovës”, u shpreh ai.

Kjo nuk është hera e parë që juridiksioni i Serbisë paraqet problem për Kosovën, duke kujtuar edhe fletarrestet të cilat ende figurojnë në bazën e të dhënave të Interpolit. Ndërsa, ndalesat e qytetarëve të Kosovës në Serbi janë bërë edhe të shpeshta.

SHPËRNDAJE