Serbi, qindra besimtarë falin namazin e xhumasë në faltoren e rrënuar

Qindra besimtarë muslimanë sot falën namazin e xhumasë para faltores së rrënuar të Bashkësisë Islame të Serbisë në Fushën e Zemunit në Beograd, ndërsa falja e namazit u monitorua nga policia, raporton Anadolu Agency (AA).

Imami Emin Zejnullah para faltores foli për muajin në ardhje të Ramazanit dhe për rrënimin e ndërtimit dhe tha se nuk dëshiron të besojnë se të gjithë qytetarët e Serbisë në këtë mënyrë mendojnë për xhaminë.

“I informova muslimanët se do ta falim namazin e xhumasë jashtë, sepse nuk ka vend brenda. Nesër është Ramazan. I lutem Allahut që të na pastrojë nga mëkati dhe të folurit e shëmtuar. Unë shpresoj që autoritetet do të ndërtojnë një xhami të re, pasi këtë ua rrënuan në mënyrë të paligjshme. Unë besoj se do të ndodh kështu. Në qoftë se nuk ndodh, atëherë ky është një mesazh i keq për ne muslimanët të cilët jemi pakicë këtu në Beograd”, tha imami Zejnullah.

Ai shtoi se sonte në rrugë do ta falin edhe namazin e teravisë.

Bashkia e Zemunit në Beograd tha më herët sot se herët në mëngjes ka rrënuar objektin e Bashkësisë Islame të Serbisë në Fushën e Zemunit, duke shtuar se ndërtimi ishte ngritur në mënyrë të paligjshme.

Siç u tha, inspektorët e ndërtimit të Bashkisë së Zemunit disa herë kanë mbyllur zonën e ndërtimit dhe kanë ngritur padi penale, por megjithatë punimet kanë vazhduar.

“Inspektorët e ndërtimit sipas ligjit miratuan vendimin për heqjen e objektit të paligjshëm dhe urdhër ekzekutiv për ekzekutimin e këij vendimi i cili i është paraqitur investitorit, i cili ka vazhduar me kryerjen e veprave të paligjshme. Rrënimi i objektit të paligjshëm filloi më 26 maj në mëngjes”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Nga ana tjetër, Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, njoftoi sot se ndërtimi i paligjshëm në Serbi duhet të ndalet, por u bëri thirrje autoriteteve lokale dhe organeve të tyre inspektuese që “në mënyrë serioze dhe me përgjegjësi të kryejnë punën e tyre dhe rregullisht të kryejnë kontrolle në terren”.

Ministria deklaroi se ndërtimet e paligjshme duhet të parandalohen “në rrënjë” për të mos ardhur në situatë “sot të rrënohet objekt ndërtimi i cili ka filluar para tre ose më shumë vitesh, gjë që është proces më i komplikuar dhe më pak efikas”, dhe paralajmëroi investitorët të respektojnë ligjin dhe të mos fillojnë ndërtime pa leje.

Aksioni për rrënimin e faltores filloi në mes orës tre dhe katër të mëngjesit, kur policia dhe xhandarmëria bllokuan lagjen. Rrënimi i faltores në Fushën e Zemunit ishte planifikuar për dje, por një numër qytetarësh të cilët u mblodhën së bashku e penguan atë.