Sëmundja e tuberkulozit në Kosovë shënon rënie

Për çdo vit Kosova po shënon progres në luftën kundër tuberkulozit, i cili bazohet në uljen e numrit të prekurve nga kjo sëmundje ngjitëse krahasuar me vitet paraprake.
Kështu u tha sot në shënimin e Ditës Botërore të Tuberkulozit me moton: “Bashkohu me ne që ta mundim TB”, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHP, OBSH, OJQ KeA, Shoqata e Pulmologëve të Kosovës, Fondi Global dhe CDF, partnerë në implementimin e Programit të tuberkulozit në Kosovë.

Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë foli Dr. Milazim Gjocaj i cili tha se falë përkushtimit të MSh-së, dhe partnerëve në implementimin e Programit të TB-së (Fondi Global, CDF, IKSHP, OBSH, KeA…) dhe angazhimit të punonjësve shëndetësor, Kosova ka shënuar sukses në trajtimin e tuberkulozit. “MSh është duke shënuar suksese të reja në luftën kundër Tuberkulozit, suksese të cilat i bazohen në të dhënat zyrtare, që për çdo vit shënohen ulje të të prekurve nga kjo sëmundje. Por, përkundër këtyre të arriturave neve na mbetet të punojmë ende, ngase mbetemi vendi me numrin më ta madh të të prekurve me TB në regjion, por me futjen e TB-së si prioritet në Strategjinë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021, kemi bërë të qartë përkushtimin tonë serioz në luftën kundër TB -së”, tha Gjocaj.

Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së tha se tha se situata epidemiologjike me tuberkuloz në vazhdimësi përcillet nga ky institucion, i cili merret edhe me parandalimin e kësaj sëmundjeje akoma vdekjeprurëse dhe shumë të përhapur në botë. “Kjo shënohet me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për kujdes ndaj kësaj sëmundjeje dhe njëkohësisht bëhet thirrje për aksion që t’i bashkohen karvanit në luftën për të eliminuar TB-në në Kosovë”, tha Dr. Ramadani.

Koordinatorja Kombëtare për TB, dr. Majlinda Gjocaj, prezantoi një ecuri të rasteve të TB-së në Kosovë përgjatë viteve, ku vërehet një rënie e madhe, pasi që më 2001 numri i të prekurve me TB në Kosovë ishte 1674 duke rënë vazhdimisht, deri në 717 për vitin 2016. Më tej ajo ka theksuar se “kjo ditë në shumë pjesë të Botës kalon duke mësuar dhe duke biseduar lidhur me këtë sëmundje, qëllimi i shënimit të kësaj dite në tërë Botën e edhe tek ne në Kosovë është: Thirrje për AKSION për të gjithë ata, që me kontributin e tyre do të përkrahin eliminimin e Tuberkulozit në Kosovë dhe në botë”.

Dr. Behxhet Osmani nga Shoqata e Pulmologëve të Kosovës, tha se falë mbështetjes së MSh-së, duke mbuluar të gjithë të prekurit me terapinë e nevojshme falas gjatë tërë vitit, dhe organizatave ndërkombëtare shëndetësore, është shënuar ulje e incidencës së kësaj sëmundjeje mbi 50%.

U.D. Shefe e Zyrës së OBSh-së në Prishtinë, Dr. Ardita Tahirukaj tha se qëllimi kryesor i shënimit të kësaj dite është vetëdijesimi i qytetarëve në luftimin e kësaj sëmundjeje. “Për këtë vit fokusi i OBSh-së është në grupet e margjinalizuara në HIV dhe TB”, tha ajo.

Dr. Lulzim Çela nga Fondi Global dhe CDF tha se TB-së është sfidues i shëndetësisë si në nivel global ashtu edhe në Kosovë, andaj konsideroj se lufta ndaj kësaj sëmundjeje është sa është detyrë aq është edhe e shenjtë për secilin prej nesh, tha dr. Çela.

Ndryshe, Dita Botërore e Tuberkulozit, është shënuar sot në të gjitha qendrat Rajonale të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë, si dhe në komuna tjera, ku janë organizuar fushata me aktivitete të shumta.