Selimi: Thaçi ka plane të fshehta për ndarjen e Kosovës

Një ditë pas publikimit të video-incizimit ku kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shpreh shqetësimin për ndryshim të kufijve në rajon, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësimin e saj se ka plane të fshehta për ndarje të Kosovës.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, përmes një konference për media tha se ka plane të fshehta mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, për ndarje të Kosovës.

Duke folur për incizimin që doli në media dje ku kryeministri Zoran Zaev shprehu shqetësimin e tij për ndryshimin e kufijve, deputeti Selimi tha se ajo duhet të shqetësojë të gjithë.

“Kryeministri Zaev shprehet si i nformuar mirë për këto plane që kanë të bëjnë për ndarje të Kosovës. Ato që po dëgjojmë nga ai duhet të na shqetësojnë të gjithë ne, përfshi dhe aleatët tanë strategjikë”, tha ai, raporton KP, transmeton Klan Kosova.

Sipas tij, presidenti Thaçi duke mashtruar popullin e vet po vazhdon të shtyjë përpara agjendën ruse për ndarje të Kosovës.

Mes tjerash, sipas deputetit Selimi, zgjidhja e vetme për shkarkimin e presidentit Thaçi janë zgjedhjet e reja.