Sektori i energjisë faktor kyç i zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Forumin e Dytë të Nivelit të Lartë për Energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”.

Në këtë forum ishin të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie, shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, ministri Blerand Stavileci, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë nga Kosova dhe Shqipëria.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme që Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë nga partnerët ndërkombëtarë, mbështetje kjo që ka ndikuar në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe në fokusimin në sektorët kyç të zhvillimit, siç është edhe sektori i energjisë.

“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2017-2026 dhe këtë e konsiderojmë si një të arritur të veçantë, sepse energjia mbetet një prej prioriteteve themelore dhe jo vetëm si resurs relevant për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social të Kosovës edhe në këtë periudhe, por edhe në periudhën e ardhshme. Konsiderojmë poashtu se aq sa ka qenë e rëndësishme aprovimi i kësaj Strategjie, aq i rëndësishëm është edhe angazhimi ynë i përbashkët për implementimin e saj dhe kjo do të jetë prioritet i veçantë i Qeverisë. Poashtu edhe prioritet i bashkërenditjes, në mënyrë që ne t’i arrijmë caqet, të cilat dëshirojmë t’i arrijmë me strategjinë tonë në këtë fushë”, tha kryeministri Mustafa.

Më tej, kryeministri Mustafa theksoi nevojën që ka Kosova për zhvillimin e burimeve të energjisë, por edhe fillimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, si prioritet i parë i Qeverisë.
“Përfundimi i suksesshëm i ndërtimit të këtij termocentrali, konsideroj se drejtpërdrejt do të ndikojë në krijimin e kushteve afatgjata për zhvillim ekonomik dhe rimëkëmbje ekonomike, do të ofrojë kushte, të cilat do t’i sigurojnë investitorët e jashtëm dhe të brendshëm që ata mund të investojnë në Kosovë pa pasur problem burimin e energjisë elektrike dhe, poashtu do të sigurojë edhe qytetarët dhe bizneset tona këtu, se do të kenë furnizim të rregullt të energjisë elektrike”, tha kryeministri Mustafa.

Kosova, siç theksoi kryeministri, ka prioritet të veçantë zhvillimin ekonomik, një zhvillim propulziv të bazuar në resurse të brendshme dhe në partneritet me investitorët strategjikë të jashtëm, sidomos të sektorit privat dhe në fushën e energjisë.

Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se do të punohet edhe në shfrytëzimin e burimeve tjera alternative, në mënyrë që të ketë energji të ripërtëritshme dhe të sigurohet efiçienca e energjisë elektrike, respektimi i plotë i kushteve ambientale, për të cilat duhet të sigurohen kushte të veçanta.
“Mirëpo, për të siguruar këto objektiva strategjike, Kosova ka nevojë të ketë partnerë strategjikë për investim, ka nevojë të ketë ekspertiza komerciale për këto investime, në mënyrë që pastaj të lirojmë buxhetin tonë, që më tepër atë ta angazhojmë për nevoja tjera, për nevoja të arsimit, shëndetësisë, nevoja infrastrukturore dhe për nevoja të nxitjes së sektorit privat të zhvillimit”, theksoi kryeministri Mustafa.

Më tej, kryeministri tha se Qeveria ka treguar se mund të demonstrojë një vizion të qartë zhvillimor përmes Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe përmes politikave ditore ekonomike, të cilat kanë krijuar stabilitet makroekonomik dhe buxhetor dhe mundësi për trende afatgjate të rritjes ekonomike.
“Ky është treguesi më i mirë se ne mund të arrijmë rezultate të cilat i synojmë, se Kosova është një vend dhe një shtet stabil, një shtet në të cilin mund të zhvillohen investime të volitshme, një shtet miqësor për investime dhe një shtet i cili mund t’i sigurojë të gjithë investitorët që të vijnë dhe të tregojnë vetën këtu”, tha kryeministri Mustafa.

Një falënderim të posaçëm për bashkëpunimin e deritanishëm, kryeministri Mustafa ia ka adresuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorit Delawie, përfaqësuesve të Bankës Botërore, të Bashkimit Evropian, partnerëve gjermanë për përkrahjen në fushën e energjisë, duke shprehur interesimin që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen në implementimin e strategjisë.
“Falënderoj edhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe ministrin për punën e bërë deri më tash dhe kontaktet e ngushta që i ka mbajtur me partnerët tanë, por edhe për vizionin e shprehur në këtë fushë dhe të shpreh përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj Ministrisë dhe ministrit në këtë fushë dhe të kërkoj edhe përkrahjen tuaj të vazhdueshme që bashkërisht të punojmë në realizimin e synimeve në fushën e energjisë dhe liberalizimit të këtij tregu”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se e gjitha që është bërë në kuadër të një vizioni strategjik për të ardhmen e sektorit është përfshirë në pesë objektiva themelore, që kanë vlerë prej rreth 3 miliardë euro, investime që priten në të ardhmen të realizohen në sektorin e energjisë.
“Objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike, objektivi i dytë me integrimin në tregun rajonal nëpërmjet realizimit të masave të buta, objektivi i tretë me zgjerimin e sistemeve termike, objektivi i katërt me zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe objektivi i pestë me arritjen e caqeve në kuadër të zbatimit të masave të efiçiencës të realizimit të investimeve me burime të ripërtëritshme të energjisë dhe përmbushjes së detyrimeve që kemi përballë Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, tha ministri Stavileci.

Më tej, ministri Stavileci theksoi se lajm shumë pozitiv për sektorin e energjisë në dy vitet e fundit është edhe miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energjinë, që hapë rrugën për liberalizimin e tregut dhe të çmimeve, e poashtu krijon mundësinë e një tregu konkurrues të energjisë elektrike, synim ky jo vetëm i Kosovës, por i të gjitha shteteve të regjionit.

Greg Delawie, ambasador i SHBA-ve në Kosovë, e ka quajtur shumë të rëndësishëm këtë diskutim, meqenëse viti 2017 për Kosovën është shumë i rëndësishëm për këtë sektor.
“Është me rëndësi kritike për Kosovën që të vazhdojë të punoj drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe të bëjë sektorin e energjisë më modern, më të sigurt dhe më konkurrent”, tha ambasadori Delawie.

Shefi i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, theksoi rëndësinë që ka Strategjia e Energjisë, si një hapësirë e mirë për donatorët për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në zbatimin e saj. Për të, është e rëndësishme që të bëhet integrimi i tregut regjional të energjisë.
“Ne besojmë se integrimi i tregut regjional është çelës për sigurimin e furnizimit stabil me energji elektrike dhe për të ulur çmimin e gjenerimit dhe të vetë energjisë”, tha ai.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, tha se ky është fillimi i një reforme të rëndësishme dhe të obligueshme, për të arritur standardet e BE-së.
“Energjia është thelbi i Agjendës së Reformave Evropiane, që prioritizon reformat kyçe që duhet ndërmarrë në zbatimin e MSA-së”, tha ai.

Faruk Serdareviç, përfaqësues i projektit mbështetës i USAID-it, “REPOWER”, për sektorin e energjisë në Kosovë, paraqiti një ekspoze mbi zhvillimet, arritjet si dhe sfidat për të ardhmen në sektorin e energjisë.