Seanca gjyqësore për të dyshuarit në rastin “Stenta”, më 21 tetor

64 të persona në rastin “stenta” do të ulen në bankën e të akuzuarve më 21 tetor.

Mantelbardhë e zyrtarë të lartë të institucioneve të shëndetësisë, ndaj të cilëve prokuroria ngrit dyshimet se rrezikuan jetë njerëzish, do të paraqiten së bashku në Gjykatën Themelore, në fund të javës së tretë të tetorit, raporton KTV.

Megjithëse kreu i kësaj gjykate, Hamdi Ibrahimi, ka deklaruar se shumë shpejt pritet të mbahet seanca e parë për këtë rast, ai ka qenë i rezervuar kur është pyetur për datën.

Burime të KTV-së kanë bërë të ditur se seanca do të mbahet pas tri javësh. Këtë ia ka konfirmuar televizionit ish-ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, i cili liroi edhe detyrën e ministrit të mjedisit, deri sa të përfundojë procesi si një prej të akuzuarve të kësaj lënde.

“Po, e kam pranuar ftesën për të marrë pjesë në seancën e parë, ajo do të mbahet më 21 tetor në ora nëntë të mëngjesit”, ka thënë Agani, përmes telefonit. Këtë e ka konfirmuar edhe zyra e avokatit të tij, përmes postës elektronike.

“Ne si mbrojtës të z. Aganit kemi pranuar thirrjen për seancën. Sipas thirrjes për seancë, të cilën e kemi pranuar nga gjykata për rastin ‘Stenta’, seanca do të mbahet me datë 21.10.2016 në ora 09:00 në sallën numër 106”, thuhet në përgjigje të zyrës së avokatit.

Por numri i madh i të akuzuarve në këtë lëndë do të vështirësojë realizimin e mbajtjes së seancave. Kjo ka bërë që kreu i Gjykatës Themelore, Ibrahimi, të kërkojë nga prokuroria që aktakuza të ndahet.

Por, zyrtarë të prokurorisë, përmes një përgjigjeje me shkrim, kanë bërë me dije për Kohavisionin se ndarja e aktakuzës mund të vendoset vetëm pas fillimit të seancave.

Prokuroria e shtetit kishte ngritur aktakuzë për dhjetëra mjekë, kryesisht kardiologë e zyrtarë institucionesh, në rastin “stenta”, në qershor të këtij viti, pas gati dy vjet hetimesh ndaj tyre.