Sean Penn në Stamboll, do xhirojë film për gazetarin e vrarë

Teksa polemikat për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi vazhdojnë ende, në Turqi ka mbërritur aktori i njohur amerikan Sean Penn, i cili do të fillojë xhirimet për një dokumentar mbi vrasjen e gazetarit. Penn është shfaqur para konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll me një ekip prej dhjetë vetash mes të cilëve edhe truproja të tij. Mediat transmetuan një video që tregon Pennin me kostum të zi duke biseduar me një kameraman para gardhit të policisë turke që pengon hyrjen në konsullatë.

Nuk dihet nëse 58-vjeccari, fitues i dy çmimeve Oscar, ka të dhëna për eleminmimin e gazetarit saudit, por ai është i njohur për pikëpamje dhe iniciativa që vendet e tjera i konsiderojnë të diskutueshme.

Gazetari saudit Jamal Khashoggi, kritik i hapur i princit të kurorës të Arabisë Saudite, u vra pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor. Ai shkoi për të kërkuar dokumentet për martesë me një shtetase turke. Trupi i 59-vjeçarit ende nuk është gjetur, pavarësisht nga kërkimet e konsullatës dhe vendeve të tjera.

Vrasje e gazetarit te “Washington Post” shkaktoi pakënaqësinë e komunitetit ndërkombëtar. Qeveria saudite ka ofruar sqarime të ndryshme në lidhje me vrasjen, duke e mohuar atë fillimisht, ndërsa më pas tha se vrasja ishte aksidentale dhe më në fund iu referua asaj si një operacion jashtë komandës. Të gjitha dyshimet e hedhura kryesisht nga senatorët e Shba, sipas një raporti të fundit tw CIA-s,  bien mbi princin e Kurorës. /oranews/