Rusia nis tërheqjen e ushtarëve nga Afrini

Përderisa pritet fillimi i operacionit të mundshëm të Turqisë ndaj objektivave të organizatës terroriste PYD/PKK në Afrin, Rusia nisi të tërheqë policinë e saj ushtarake nga rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve që AA ka siguruar nga burime të besueshme në Afrin, policia ushtarake ruse, e vendosur në afërsi të fshatit Kefer Xhene, është duke u larguar në grupe nga rajoni.

Dhjetëra policë ushtarakë të cilët janë larguar nga Afrini kanë arritur në qytezat Nabul dhe Zehra, të cilat gjenden nën kontrollin e regjimit të Bashar Asadit.

Një pjesë e policisë ushtarake të Rusisë ndodhet ende në Afrin.

Shefi i Shtatmadhorisë së Turqisë, gjeneral Hulusi Akar, në kuadër të vizitës së tij në Rusi, i shoqëruar nga kreu i inteligjencës turke (MIT), Hakan Fidan, dje u takua me shefin e Shtatmadhorisë së Rusisë, Valery Gerasimov.

Në takim u diskutuan çështjet e sigurisë rajonale, zhvillimet e fundit në Siri si dhe procesi i bisedimeve në Astana dhe Gjenevë.