Rusia e bindur se ka vrarë Abu Bakr al-Baghdadin

Mundësia që kreu i organizates terroriste ISIS Abu Bakr al-Baghdadi të jetë vrarë është 100 për qind, citon agjensia e lajmeve Interfax. Agjencia u referua në deklaratat e kreut të komitetit të mbrojtjes të Rusisë.

Ministria e Mbrojtjes tha se besonte se ka vrarë Baghdadin kur një nga sulmet ajrore goditi një tubim të komandantëve të lartë të ISIS-it në periferi të qytetit sirian Raqqa.

Por grupet e armatosura që po luftojnë në rajon, ashtu si dhe zyrtarët e SHBA-së thonë se nuk kanë prova se Bagdadi u vra. Njësoj, shumë zyrtarë rajonalë kanë thënë se janë skeptikë lidhur me informacionin nga Moska.

Kreu i komitetit Viktor Ozerov ka thënë se ministria e mbrojtjes nuk do të kishte lëshuar informacion rreth vdekjes së Bagdadit nëse nuk e do të ishte e bindur.

Bagdadi është raportuar disa herë si i vrarë ose i plagosur që nga vetshpallja e të ashtuquajturit “kalifat” në vitin 2014.

Vdekja e tij do të ishte një nga goditjet më të mëdha për grupin terrorist, i cili po përpiqet të mbrojë territorin e tij të ngushtuar në Siri dhe Irak, kundër forcave të mbështetura nga fuqitë rajonale dhe globale.

Territori sirian është bërë arenë luftash, ku janë përfshirë regjimi sirian që përkrahet nga Rusia, Irani dhe Libani, dhe në anën tjetër nga forcat e udhëhequra nga Koalicioni anti ISIS. Të dy palët pretendojnë se po përpiqen të mundin grupin terrorist, i cili ka kryer gjenocide ndaj popullatave civile muslimane në Siri dhe Irak, por nuk u mjaftua me kaq.

Grupi terrorist ka marrë përgjegjësinë për kryerjen e sulmeve të shumta edhe në Evropë.

Konflikti i spiralizuar sirian ka lënë më shumë se 2000.000  njerëz të vrarë, dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. /MESAZHI/