Rusia dhe talebanët mbajnë bisedime në Moskë

I dërguari special i Rusisë për Afganistan, Zamir Kabulov, sot zhvilloi bisedime me krerët e talebanëve afganë në Moskë, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i talebanëve mbërriti në kryeqytetin rus disa ditë pasi SHBA papritmas hoqën dorë nga negociatat e paqes me grupin.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më parë u shpreh se bisedimet e paqes me talebanët janë “të vdekura” pasi anuloi një takim të planifikuar me talebanët, në shenjë hakmarrjeje për sulmin e fundit në Kabul, në të cilin humbën jetën një duzinë njerëz, përfshirë edhe një anëtar të shërbimit amerikan.

“Delegacioni është në Moskë. Ne tashmë jemi takuar me të dërguarin presidencial rus për Afganistanin, Zamir Kabulov, për të diskutuar ngjarjet e fundit në lidhje me procesin e paqes afgane”, u tha gazetarëve zëdhënësi i talebanëve, Suhail Shaheen.

Rusia, megjithatë, shpresonte se bisedimet e paqes midis SHBA-ve dhe talebanëve janë të “pezulluara”, e jo “të vdekura”, pasi Moska e konsideron marrëveshjen mes SHBA-ve dhe talebanëve si një “hap të rëndësishëm” i cili do t’i hapte rrugën pajtimit kombëtar dhe zgjidhjen gjithëpërfshirëse të krizës afgane.