Rryma ia lë “fjalën në fyt” presidentit Thaçi (Video)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, ku është diskutuar për të arriturat dhe sfidat në dekadën e parë të shtetësisë së Kosovës.

Thaçi ka bërë një bilanc të dhjetë vjetëve shtet, përgjatë të cilëve sipas tij Republika e Kosovës ka marr një sërë veprimesh me qëllim të konsolidimit të sundimit të ligjit dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.

Ai ka theksuar se në këtë periudhë ka pasur sfida në zbatim të legjislacionit, si dhe në avancimin dhe forcimin e mekanizmave të sundimit të ligjit.

Kreu i shtetit ka thënë se përgjatë këtyre 10 vjetëve shtet, Kosova ka arritur progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por gjithnjë ekziston mundësia që të bëhet edhe më shumë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të punohet më me profesionalizëm.

Mirëpo, derisa fliste për të arriturat, diçka ndodhi jashtë “skenarit”.

Derisa po fliste presidenti Thaçi, në sallën ku ishin edhe të pranishëm të tjerë, u ndalë rryma.