Rritet rrufeshëm çmimi i naftës/ Shkak? Sulmet në rafineritë e Arabisë Saudite

Sulmet ndaj rafinerive të naftës në Arabinë Saudite kanë shkaktuar një rritje të rrufeshme të çmimit të naftës në tregjet globale.

Monarkia e gjirit është eksportuesi më i madh i naftës bruto në botë dhe goditja me drone, dy strukturave strategjike në fundjavë e reduktoi prodhimin me 5,7 milionë fuçi në ditë. Kjo do të thotë gati gjysma e prodhimit të vendit, e barazvlefshme me 5% të konsumit të përditshëm global, duke shkaktuar kështu dëmin më të madh prej një ngjarjeje të vetme për tregjet e arit të zi.

Mbrëmjen e së dielës, nafta bruto u kuotua 15% më lart në SHBA, benzina 11% dhe ajo Brent 18%. Mëngjesin e së hënës, rritja preku edhe tregjet aziatike, duke bërë që brenti, me 66, 55 dollarë për fuçi të mbërrijë nivelin më të lartë që prej luftës së gjirit Persik në 1991, kur u shit për 71,75 dollarë fucia.

Vazhdon sakaq paqartësia lidhur me organizatorët e sulmit ashtu sic nuk dihet ende se nga u lëshuan raketat që goditën të shtunën objektin saudit të prodhimit të naftës. Shtetet e bashkuara fajësuan Iranin, e madje u shprehën dhe të gatshme të ndërhyrjnë, në një kohë kur përgjegjësinë e pretenduan rebelet Huthi që luftojnë prej vitesh ne Jemen me forcat qeveritare.