Rreziku shëndetësor që i kanoset tifozëve të zjarrtë të futbollit

Tifozët e futbollit përjetojnë nivele aq të larta stresi duke shikuar ekipin e zemrës saqë e vendosin veten përballë rrezikut të një sulmi kardiak. Është ky përfundimi i një studimi të fundit.

Universiteti i Oxford-it mori në studim tifozët brazilianë, pasi u mori mostra pështyme, gjatë humbjes historike nga Gjermania në vitin 2014 gjatë Kupës së Botës. Studiuesit zbuluan se gjatë humbjes 7-1 në gjysmëfinale niveli i kortizolit ishte rritur. Kjo mund të jetë shumë e rrezikshme sepse rrit tensionin dhe sforcon zemrën.

Sipas studiuesve nuk ka asnjë ndryshim në stresin që krijohet mes meshkujve dhe femrave, pavarësisht idesë që krijohet se meshkujt janë më shumë të lidhur me ekipin e futbollit.

“Tifozët, të cilët janë shumë të dhënë pas ekipit të tyre, që do të thotë se kanë idenë sikur ndihen si një prej lojtarëve të skuadrës, përjetojnë stresin më të madh fiziologjik kur shikojnë ndeshjen”, tha doktoresha Martha Newson, kërkuese në Universitetin e Oxford-it.

“Tifozët e tjerë më të zakonshëm gjithashtu përjetojnë stres, por jo në mënyrë kaq ekstreme”, tha studiueja.

Niveli i lartë i kortizolit në gjak mund të ngushtojë venat e gjakut, rrisë tensionin dhe të dëmtojë një zemër që ka probleme. Studiuesit kanë zbuluar se ndeshjet më stresuese për tifozët janë gjysmëfinalet.

Sipas BBC-së, humori dhe përqafimet mes tifozëve reduktojnë stresin. Martha Newson ka sugjeruar që stadiumet në përfundim të ndeshjeve të zbehin dritën dhe të venë në sfond muzikë qetësuese.