Rrëfimi i gruas që së bashku me vajzën u maltretuan nga bashkëshorti

“Unë nuk kam baba, sepse ai më rreh shumë për çdo ditë! Edhe mamin e rreh për çdo ditë! Edhe motrën për çdo ditë e rreh!”. Në këtë mënyrë, përmes këtij vizatimi, një vajzë e vogël shpreh më së miri gjendjen emocionale dhe atë çfarë ka përjetuar nga babai i saj.

Nëna e saj për “HUMAN” rrëfen dhunën që ka përjetuar ajo së bashku me vajzën për 10 vjet me radhë. Lumturia e martesës së tyre zgjati vetëm pesë vjetët e para të martesës.

Për të pothuajse çdo ditë e jetës së saj ka qenë me dhunë. Ajo tregon se bashkëshorti nervozohej nëse dilte jashtë shtëpisë.

Përveç dhunës fizike e psikologjike që ajo ka përjetuar, mërzia e saj shtohej kur bashkëshorti filloi të ushtronte dhunë edhe ndaj fëmijëve.

Në këto raste ajo e vetme nuk kishte çfarë të bënte. Nuk kishte fuqi të përballej me bashkëshortin e saj e as nuk guxonte të shkonte te mjeku edhe pse kishte nevojë.

Siç thotë ajo, dhuna ndaj vajzës kishte filluar në momentin kur suksesi i saj në shkollë nuk ishte me të gjitha pesa.

Por, ajo nuk mund të duronte më. Ka disa javë që së bashku me fëmijët është larguar nga shtëpia dhe është vendosur në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe fëmijëve.

Tani që vajza nuk është pranë babait, tregon se gjendja e saj është më e mirë.

Edhe para dy vitesh, ajo ishte larguar nga shtëpia, por për shkak të fëmijëve ishte kthyer përsëri.

24 orë ajo qëndronte e mbyllur në shtëpi. Ka dalë jashtë shtëpisë vetëm kur ishte në shoqëri të bashkëshortit.

E tani që janë duke qëndruar në Qendër, gjithçka çka ajo mendon është ta gjejë një punë e ta sigurojë të ardhmen e vajzave të saj. Përveç saj, thotë se as vajza nuk dëshiron ta takojë babanë e saj.

Gjatë këtyre viteve, shtatë herë e kishte paraqitur rastin në polici.

Në momentin e pranimit në strehimore, gruaja që përjetoi gjithë këtë dhunë, ka qenë e shqetësuar. Kështu thotë Elemedina Sejdiu, punëtore sociale në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.

Sejdiu thekson se situata në këtë familje ishte përshkallëzuar në momentin kur dhunë është ushtruar edhe në fëmijë.

Për shkak të rrezikut që ekziston në këtë rast, vajza është detyruar të ndërpresë mësimet në shkollë.

Mirëpo, që të mos mbetet prapa me mësime, mësuesja ka shprehur dëshirë t’i mbajë orë mësimore në Qendrën e Strehimit.

Sejdiu më tej tregon se kur nëna me dy vajzat është pranuar në strehimore, vajza e madhe, për shkak të dhunës që ka pasur nga babai i saj, ka pasur shenja të dhunës në fytyrë.

Kjo Qendër e strehimit për rreth 6 muaj ofron strehim, ushqim, veshmbathje e mbi të gjitha siguri për rastet e dhunës në familje.

Sejdiu thotë se në këtë Qendër për të gjitha viktimat e dhunës në familje ofrohen edhe shërbime shëndetësore, si dhe i kanë të gjitha barnat që janë në listën esenciale.

 

Sipas saj, shqetësues është fakti që shumë prej viktimave pas gjashtë muajve qëndrimi në strehimore, detyrohen të kthehen përsëri në shtëpinë e abuzuesit.

Derisa viktimat e dhunës jetojnë në këtë strehimore ato shpesh edhe bëjnë punëdore të ndryshme për ta kaluar kohën.

E ndërkohë, edhe shumë fëmijë të tjerë, të cilët kanë qenë viktima të dhunës, përmes vizatimeve në Qendër shprehin atë çfarë kanë përjetuar nga baballarët e tyre.

Një vajzë duke qarë shihet në një vizatim nga një tjetër vajzë, ku përmes saj tregon se kur ajo ka shkuar të marrë rrush, i ati e kishte goditur me dru. Për shkak të kësaj, babait ia kishte vënë nofkën “Bisha”.

Për këtë neuropsikiatri thotë se fëmijët nuk kanë guxim të tregojnë atë çfarë përjetojnë dhe zgjedhin ta shprehin përmes vizatimit.

Rexhepi thotë se dhuna e ushtruar ka pasoja fizike dhe psikologjike.

Ai thekson se dhuna nuk është vetëm një problem i dy të rriturve, por që pasojat më së shumti bien te fëmijët.

Për viktimën e dhunës nga bashkëshorti për vite me radhë, Rexhepi thotë se pasojat janë shumë të mëdha.

Sipas tij, për një person është traumë shpirtërore të durojë dhunë për shumë vite.

Ai thotë se nuk mjafton të flitet për dhunën në familje, por të veprohet në gjetjen e një zgjidhjeje për viktimat e dhunës, në mënyrë që të mos detyrohen të kthehen në shtëpitë e dhunuesve.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2017 janë evidentuar 1271 raste, kurse në periudhën janar-tetor 2018, janë evidentuar 1128 raste, ku nga to numri i viktimave femra është 901.

Këtë vit, disa raste të dhunës në familje kanë përfunduar me vrasjen e grave./Gazeta Express/