Rouhani: Duam diplomaci por kushtet flasin për luftë

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha se është në favor të negociatave dhe diplomacisë, por shtoi se kushtet e sotme nuk janë aspak kushte të negociatave, por të rezistencës dhe luftës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në 40 vitet e fundit, “njerëzit në Shtëpinë e Bardhë” kanë punuar kundër Iranit dhe planifikojnë të luftojnë vendin me presion dhe armë, tha Rouhani në një takim me klerikët shiitë në Teheran, duke shtuar se të gjitha këto elemente kanë kulmuar me atë që po ndodh sot.

“Armiku vazhdimisht donte që Irani të fillonte tensionin, por ne nuk e bëmë këtë”, tha ai.

Nuk ka mosmarrëveshje midis njerëzve dhe atyre që e udhëheqin vendin kundër sanksioneve të SHBA-së, tha presidenti iranian, duke theksuar se ai është personalisht në favor të negociatave dhe diplomacisë, por në asnjë mënyrë nuk pranon bisedime në kushtet aktuale. Ai deklaroi se Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për negociata tetë herë.

Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump mohoi raportimet se Washingtoni është duke u përpjekur të fillojë negociata me Iranin.

“Irani do të na telefonojë nëse dhe kur të jenë gati”, tha Trump në Twitter.

“Ndërkohë, ekonomia e tyre vazhdon të rrëzohet – gjë shumë pikëlluese për popullin iranian!”, shtoi Trump.

Këto komente paraqesin një ton shumë më ndryshe sesa komentet që Trump i bëri të dielën, ku ai kërcënoi Teheranin se në rast të një lufte, “ky do të ishte fundi zyrtar i Iranit”.

“Asnjëherë më mos kërcënoni Shtetet e Bashkuara”, tha ai, pa specifikuar se për çfarë kërcënimi bëhet fjalë, megjithëse një raketë ra më herët në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, ku gjendet Ambasada e SHBA-së.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur që kur vitin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshje bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe vendeve P5+1 (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania).

Menjëherë më pas, Washingtoi rivendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit, duke shënjestruar sektorin energjetik dhe bankar të vendit.

Me rastin e njëvjetorit të tërheqjes së SHBA-së më 8 maj, Irani u dha afat 60-ditor palëve të marrëveshjes të marrin masa për të ruajtur interesat e vendit, duke paralajmëruar rritjen e nivelit të uraniumit të pasuruar në rastin e kundërt.