Rinumërohen 639 vendvotime, procesi përfundon të hënën tjetër

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) deri në orën 16:00 janë rinumëruar 639 vendvotime, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se përfundimi i këtij procesi varte nga dinamika e punës në QNR.

Ndonëse nuk jep  afat se kur mund të dihen saktë rezultatet e zgjedhjeve, ai thotë se procesi i rinumërimit mund të përfundojë të hënën tjetër.

“Ne nuk mund ta themi me saktësi se kur përfundon procesi i rinumërimit të pjesës së mbetur të vendvotimeve, sepse kjo varet krejtësisht nga dinamika e punës në QNR, por edhe se sa ka qenë pjesëmarrja e votuesve në këto vendvotime”.

“Nëse shohim dinamikën e rinumërimit gjatë këtyre 5-6 ditëve, e cila është rreth 130 vendvotime brenda dy ndërrimeve, atëherë besojmë se deri të hënën tjetër mund të përmbyllim ky rinumërim”.

Numri i vendvotimeve që duhet të rinumërohen është rreth 1 410, ndonëse fillimisht në vendim të PZAP-it ishte shkruar së bëhet fjalë për 1 472 vendvotime.

Por, KQZ-ja pasi ka rishikuar listën e paraqitur në vendim ka vërejtur se 38 vendvotime ishin shënuar nga dy herë, 18 të tjera ishin rinumëruar më parë dhe 7 të tjera nuk përputhen me listën e vendvotimeve.