Rikthehen kolonat në pikat kufitare me Serbinë, pritjet më të gjata në Merdare

Fluksi i madh i mërgimtarëve kosovarë, që përmes Serbisë po vijnë në Kosovë, sërish ka shkaktuar kolona dhe pritje të gjata në pikat kufitare me shtetin fqinj.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar njofton se mëngjesin e sotëm në dy pikë- kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdare dhe te Dheu i Bardh,  janë shkaktuar kolona dhe pritje deri një orë e gjysmë.

Sipas njoftimit, në pikë-kalimin kufitar Merdare, në hyrje të Kosovës kolona ësghtë deri në 250 metra dhe pritjet prej 60-90 minuta, kurse për të dalë nga Kosova pritet deri në 20 minuta, raporton Telegrafi.

Ndërsa, në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë, për të hyrë në Kosovë pritet deri në 30 minuta, kurse kolonat e automjeteve janë deri në 100 metra.

Pritje deri në 10 minuta për të hyrë në Kosovë ka edhe në pikë-kalimin kufitar me Maqedoninë, në Han të Elezit.

Në pikë-kalimet e tjera kufitare me shtetet fqinje qarkullimi zhvillohet normalisht dhe pa pritje.

Për të përcjellë në kohë reale gjendjen në pikë-kalimet kufitare qytetarët mund të informohen duke klikuar në web faqen e  Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

SHPËRNDAJE