Rikonfigurimi i qeverisë është i mundshëm

Njohësit e çështjeve politike në vend e shohin në këndvështrime të ndryshme rikonfigurimin e qeverisë. Ramush Tahiri thotë se një rikonfigurim i qeverisë është i mundshëm dhe rrit numrin e votave në Kuvend, por e sheh të udhës edhe përfshirjen e LDK-së në qeveri. Ndërsa për politikologun Behlul Beçaj kjo ka pak mundësi, pasi e vë në diskutim idenë e korrigjimit të kufirit.Përderisa flitet se këtë vit do të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë, njohësit e politikës në vend e shohin të arsyeshme që në këtë proces Kosova të ketë qeveri gjithëpërfshirëse. Ramush Tahiri tha për Radio Kosovën se rikonfigurimi i qeverisë duhet të bëhet edhe është i mirëseardhur: “Nëse shkon Partia Social Demokrate do të ishte mirë, sepse ia siguron qeveria minimumin e votave që duhet për funksionim, që është 61 vota, momentalisht nuk i ka, i ka 53 me largimin e Listës Serbe. Tash, edhe më përjashtimin e ministrit Rikallo kjo qeveri e ka të vështirë t’i drejtohet kuvendit dhe projektligjet t’i dorëzojë në kuvend. Pra, duhet rikonfigurim”, tha ai. Por politikologu Behlul Beçaj tha për Radio Kosovën se ri-konfigurimi i qeverisë është shumë pak i mundshëm: “Për arsye se nënkupton domosdoshmërinë e ri-konfigurimit të ekipit negociator, dhe ri-konfigurimi i ekipit negociator nënkupton edhe ri-konfigurimin e pozicioneve të kryesueseve të grupit negociator. Në fakt kjo edhe e hedh në diskutim serioz çështjen e idesë së Hashim Thaçit, prandaj kjo është shumë pak e mundshme, por nuk përjashtohet”, tha ai. Tashmë edhe LDK ka dhënë dy mundësi për zhvillimet në vend. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu do të duhej të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime, ose të bëhet formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje.Edhe njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri e sheh të udhës që në qeveri të përfshihej LDK-ja: “Tash a do të shkojë Kosova drejt një ri-konfigurimi gjithëkombëtar që me hy edhe LDK-ja do të ishte e udhës, sepse do të bëhej një program kombëtar ose shtetëror i cili kapërcen çështjet e mëdha. Nëse Bashkësia Ndërkombëtare kërkon që brenda këtij viti të bëhet marrëveshja me Serbinë, marrëveshja për normalizim, atëherë një koalicion i madh do të ndihmonte me dy të tretat e votave që të kapërcehet çështja’, tha ai. Në këtë kuadër edhe për LDK-në, çështja e dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend.