Rezidenca “mbretërore” e familjes Rugova, për katër vite shteti ia ndau mbi 200 mijë euro

Mirëmbajtja e tërësishme e rezidencës së familjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova po vazhdon të financohet nga shteti i Kosovës.

Çdo vit, për këtë rezidencë ndahen mjete nga Qeveria e Kosovës, për shpenzimet e punëtorëve të kësaj ndërtese, si dhe kosto tjera, shkruan lajmi.net.

Një vendim i tillë u mor edhe sot nga Qeveria në largim e Haradinajt, që për këtë rezidencë ndau gjithsej 57 mijë e 944 euro.

Vetëm 10 euro më pak, Qeveria e Kosovës kishte ndarë në vitin 2019, saktësisht 57 mijë e 934 euro.

Shumë të njëjtë si në 2020-ën, Qeveria e Kosovës kishte ndarë para saktësisht dy vitesh, në 2018-ën, pra 57 mijë e 944 euro.

E në 2017-ën, me kërkesë të ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qeveria e Kosovës ka ndarë 27,857 euro për pagesën e punonjësve për “shërbime të veçanta” në rezidencën presidenciale Ibrahim Rugova e cila gjendet në lagjen Velania në Prishtinë.

Në total, për katër vjet, Qeveria e Kosovës ndau hiç më pak se 201 mijë e 679.

Vendimi që Rezidenca e familjes Rugova të mbrohet me ligj ishte marrë në kohën sa ministër i Kulturës ishte Kujtim Shala i LDK-së.

Me vendimin në fjalë, ndërtesa në fjalë përfshihet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të përkohshme.

Përveç kësaj shume, bashkëshortja e ish-presidentit, Fana Rugova, çdo muaj merr nga 1 mijë euro nga buxheti i shtetit, ka shofer dhe veturë personale.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme është shënuar 14 vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës që njëkohësisht njihet edhe si themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës