Restaurohet dega e Gjuhës dhe Letërsisë Turke në UP

Fondacioni Humanitar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) me qendër në Turqi realizoi inaugurimin e projektit të restaurimit të degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke/Turkologjisë pranë Fakultetit Filologjik të Universitetit “Hasan Prishtina”, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Fondacioni IHH ka financuar restaurimin e dy klasave dhe dhomave të profesorëve në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Turke, si dhe ka pajisur ato me ulëse, tavolina dhe biblioteka, duke dhuruar edhe rreth 150 libra të ri.

Docenti i degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke, Ergin Jable, në adresimin e tij para të pranishmëve duke falenderuar fondacionin IHH, tha se edhe anëtarët e këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës kanë qenë dakord, janë shprehur pozitivisht dhe të kënaqur për ndihmën e ofruar nga ky fondacion.

Zv/drejtor dhe anëtar i Këshillit të Bordit Drejtues të IHH-së, Osman Atalay, njoftoi se vlera e restaurimit të degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke ka arritur në 11 mijë euro. Ai shtoi se kjo degë ka patur shumë nevojë për një ambient më të mirë.

“Ne si fondacion jemi përpjekur që të plotësojmë nevojën e degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke. Ne kemi restauruar dyshemenë e klasave dhe dhomave të profesorëve, pastaj kemi pajisur ato me ulëse, tavolina, bibliotekë, si dhe kemi dhuruar libra të ri”, tha Atalay.

Atalay apeloi që organizatat joqeveritare të mos e harrojnë Ballkanin dhe të përkrahin këtë rajon me projekte që do të zhvillojnë fushën e arsimit. Atalay u shpreh se papunësia dhe emigracioni nga Ballkani drejt Evropës është një problem serioz i të rinjve kosovar.

“Ne kujdesemi për Ballkanin. Rajoni i Ballkanit posedon vend të veçantë në historinë tonë. Kemi kushërinjtë dhe vëllezërit tanë fetar që jetojnë në këtë vend. Afrika ndoshta ka nevojë për ujë të pijshëm, për ushqim, por nevojat më të rëndësishme të rajonit të Ballkanit janë pajisjet shkollore dhe shëndetësore”, tha Atalay.

Në inaugurim e degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke/Turkologjisë pranë Fakultetit Filologjik të Universitetit “Hasan Prishtina” e pranishme ishte edhe shefja e degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke, Suzan Canhasi, sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, drejtori i Institutit Yunus Emre në Kosovë, Mehmet Ülker, si dhe profesorë dhe nxënës të kësaj dege.