Rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti në Meksikë

Prioriteti në Meksikën e goditur të martën nga një tërmet i magnitudës 7.1 tashmë është shpëtimi i jetëve.

Presidenti Enrique Pena Nieto u zotua për fokusim maksimal të vëmendjes në këtë drejtim, ndërsa sqaroi se ka pranuar ndihmën e disa vendeve të huaja, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara, Spanjën dhe Japoninë, përkrah shteteve të tjera të Amerikës Latine, të mësuara tashmë me fatkeqësi të tilla natyrore.

“Qeveria dhe e gjithë shoqëria jonë është përballur, brenda më pak se dy ditësh, me një interes dhe solidaritet masiv, pasojë e tërmetit që goditi pjesën qendrore dhe jugore të vendit. Përparësia jonë vazhdon të jetë shpëtimi i njerëzve dhe vëmendja mjekësore për ata që kanë nevojë. Deri tani, më shumë se 50 vetë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembura në Mexico City. Ekipet e emergjencës po punojnë për gjetjen dhe shpëtimin e personave, që ende rezultojnë të zhdukur në kryeqytet dhe në Puebla”, tha Enrique Pena Nieto, presidenti i Meksikës.

Më shumë se 1.900 persona kanë marrë trajtim mjekësor vetëm në Mexico City, por shumica e tyre tashmë kanë dalë nga spitalet. Bilanci i vdekjeve nga lëkundjet e dhunshme të tokës është fiksuar aktualisht në 237.

Në kryeqytet ka një sërë godinash të dëmtuara aq keq, sa rrezikojnë shembjen e po mbahen nën vëzhgim. Dëme strukturore mësohet të kenë pësuar më shumë ndërtesat ekzistuese përpara tërmetit shkatërrimtar të vitit 1985, pas të cilit u vendosën rregulla më të ashpra në sektorin e ndërtimit.

Punonjësit e shpëtimit janë në garë me kohën për nxjerrjen e të mbijetuarve nga gërmadhat, e vëmendje e madhe i është kushtuar operacionit që po zhvillohet në një shkollë në Mexico City, ku është arritur të komunikohet me një 13-vjeçare të bllokuar, e cila mendohet se ka gjetur mbrojtje nën një tryezë.