Remzi Shala u intervistua nga Specialja, dënimi i tij në Kosovë dhe procesi në Hagë janë të ndara

I ftuari nga Gjykata Speciale, Remzi Shala sot është shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile nga Gjykata Themelore në Prizren .

Sipas vendimit të Gjykatës, Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës si “Molla e Kuqe”, është dënuar me 14 vjet burg dhe se ndaj tij do të vazhdojë masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës, shkruan lajmi.net.

Avokati, Natal Bullakaj për lajmi.net ka treguar se “Molla e Kuqe”, ka dhënë intervistë për Gjykatën Speciale dje dhe pardje, duke mos dhënë detaje të tjera.

“Për Gjykatën Speciale ka thënë deklaratë dje dhe pardje dhe nuk jap detaje për shkak të hetimeve, por do të zbardhet situata. E ka kryer intervisten sikur çdo luftëtar tjetër”, tha Bullakaj.

Gjithashtu, Bullakaj ka shtuar se klienti i tij është totalisht i pafajshëm dhe vendimin e Gjykatës e konsideron të kundërligjshëm.

“ Unë jam në familjen e luftëtarit të lirisë, edhe kësaj radhe Gjykata sikur i kemi parë të gjitha proceset gjyqësore kundër luftëtarëve të lirisë, ia vnun kapakun me Remzi Shalën. Është i pafajshëm totalisht, por u dënua me dënimin kapital, 14 vite, gjë që është vendim i kundërligjshëm dhe do të ankohemi”, tha më tutje Bullakaj.

Sipas avokatit Bullakaj, i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, për klientin e tij, Remzi Shalën nuk ka asgjë konkrete të akuzohet ose jo.

“Absolutisht në bazë të deklaratave të tij, nuk ka asgjë konkrete rreth atyre që e akuzojnë direkt ose indirekt por ka qenë intervistë e thjeshtë”, tha Bullakaj.

Gjithashtu, Bullakaj në fund ka treguar se dënimi i Remzi Shalës në Kosovë dhe procesi i intervistimit të tij në Hagë janë procese të ndara.

“Në Hagë nuk është bërë fjalë për këtë, këto janë dy procese të ndara. Unë shpresoj deri në verdiktin përfundimtar në pafajësinë e tij”, tha Bullakaj për lajmi.net.

Kujtojmë se Shala me të marrë ftesën për intervistim nga Gjykata Speciale, kishte bërë të ditur se të njëjtës nuk do t’i përgjigjet.

Madje ai u kishte bërë thirrje edhe bashkëluftëtarëve të vet që mos t’i përgjigjen ftesave eventuale.

SHPËRNDAJE