Regjimi sirian: Kemi agjent të infiltuar në ISIS, mund t’i parandalojmë sulmet ndaj Turqisë

Sekretari i Përgjithshëm i parlamentit sirian i cili është nën kontrollin e partisë Baath të Asadit, Halid Abbud theksoi se shërbimet siriane të sigurisë dhe inteligjencës janë infiltruar brenda DEASH-it dhe se vetëm bashkëpunimi me regjimin mund të parandalojë sulmet terroriste në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Abbud ishte mysafir në programin e televizionit shtetëror sirian dhe me këtë rast ka komentuar lidhjet e regjimit sirian me organizatën terroriste DEASH.

Ai vuri në dukje se grupet terroriste në krye me DEASH-in dhe Al-Nusra-n ndodhen rreth Damaskut.

“Pse nuk ndodhin shpërthime në Damask, ndërsa në disa qytete turke po? Institucionet siriane të sigurisë, shërbimet inteligjente kanë arritur të infiltrohen në këto rrjete”, tha Abbud.

Ai shtoi se zhvillimet në Turqi askush nuk mund t’i ndalojë dhe se kjo është e mundur vetëm përmes një mënyre.

“Kjo është e mundur vetëm në qoftë se bashkëpunohet me institucionet e sigurisë të Sirisë. Vetëm shikoni sulmet ndaj forcave të sigurisë në Jordani. Shteti i Sirisë ka informacione të gjera në lidhje me zhvillimet në rajonin e Jordanisë dhe Turqisë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i parlamentit sirian Halid Abbud.