Regjimi sirian godet nga ajri civilët në Guta, nuk ka armëpushim

Një valë e re e goditjeve ajrore vrau të paktën 25 civilë dhe plagosi dhjetra të tjerë në Gutan Lindore pranë Damaskut. Sulmet janë kryer nga ana e regjimit sirian të Bashr al Assadit.

Sulmet vdekjeprurëse goditën qytetin Hamurije, duke vrarë 17 civilë, prej tyre gjashtë fëmijë, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Goditje të tjera ajrore pati në qytetet Arbeen, Beit Sawa dhe Misraba, ku u vranë tetë civilë, mes tyre dy fëmijë dhe dy gra.

Observatori tha se të paktën 75 njerëz janë plagosur dhe numri i të vdekurve ka gjasa të rritet për shkak të plagëve kritike nga të cilat po vuajnë dhjetra njerëz.

Guta Lindore është një nga fortesat e fundit të kryengritësve në Siri, dhe ka qenë nën rrethimin e rreptë të regjimit që nga viti 2013, gjë që ka shkaktuar mungesa të mëdha ushqimore dhe mjekësore.

Më shumë se 340,000 njerëz janë vrarë në Siri që nga fillimi i konfliktit në muajin mars të vitit 2011. Gjithcka nisi me protesta anti-qeveritare, por konflikti u përshkallëzua në luftë civile, e më pas në një arenë sulmesh nga faktorë të jashtëm si organizatat terroriste si dhe nga Rusia. /MESAZHI/