Refugjatët vendosen në shtëpinë e fëmijërisë së Trumpit

Shtëpia e fëmijërisë e presidentit amerikan, Donald Trump, fundjavën e kaluar është marrë me qira për të akomoduar refugjatët.

Organizata ndërkombëtare për luftën kundër varfërisë Oxfam ka marrë me qira shtëpinë në New York nga agjencia Airbnb me çmimin prej 725 dollarë në ditë, kurse qëllimi i këtij akti është që gjatë mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të sensibilizohet çështja e refugjatëve.

“Duam t’i dërgojmë një mesazh të fuqishëm Trumpit dhe të gjithë udhëheqësve të tjerë botërorë që të bëjnë më shumë për zgjidhjen e krizës së refugjatëve”, ka thënë zyrtari i Oxfam, Shannon Scribner.

Në shtëpinë në fjalë, të shtunën janë vendosur katër refugjatë, kurse 41-vjeçari Ghassan al-Chahada, tha se në vitin 2012 me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij kishte mbërritur në SHBA dhe kishte përjetuar realizimin e ëndrrës që ka shumica e civilëve të Sirisë.

“Kisha shpresë se do të merrja green card dhe ndoshta ndonjëherë do të mund të vizitoj atdheun. Mirëpo, me ardhjen e Trump në pushtet, nuk mendoj të largohem nga SHBA. Këshilloj Trump të kujtohet se si është ndier deri sa ka fjetur në këtë dhomë. Po të mbetej bujar siç ishte në fëmijëri, mund të themi se është person i mirë”, ka thënë al-Chahada.

Kjo është një shtëpi tre katëshe, të cilën në vitin 1940 e ndërtoi babai i presidentit të tanishëm të SHBA-ve, Fred Trump. Presidenti Trump në këtë shtëpi jetoi deri në moshën katër vjeçare, kurse më pas u zhvendosën në një shtëpi në afërsi të saj.

Në mars të këtij viti shtëpia u shit për 2,14 milion dollarë dhe aktualisht jepet me qira me çmimin prej 725 dollarë në ditë. /aa/