Reagon edhe presidenti: Askush s’mund ta cenojë luftën dhe vlerat e UÇK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar për ftesën e Speciales për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai është shprehur se e ka pranuar me keqardhje lajmin se janë ftuar për intervistim këshilltari i tij Bislim Zyrapi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai është shprehur se e respekton vendimin e kryeministrit Haradinaj për dorëheqjen e parevokueshme dhe ka siguruar qytetarët se me kompetencat e tij do të veproj bazuar në ligj dhe kushtetutë.

“Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush!”, ka shkruar Thaçi.

Ky është postimi i tij i plotë:

Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush! HTH.