Rasti “Toka”, prokurori thotë se grupi i Azem Sylës ka korruptuar zyrtarë të gjykatave

Pas shumë dështimeve, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka arritur të jepet fjala hyrëse në gjykimin ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në rastin “Toka”,

Prokurori special Naim Abazi, në fjalën hyrëse, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të akuzuarit kishin marrë pjesë si grup kriminal, dhe se nga provat e shumta do të vërtetohet se të akuzuarit ishin fajtorë dhe se për veprimet e tyre inkriminuese, sipas tij, do të marrin dënimin e merituar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka thënë se të akuzuarit kishin marrë aktvendime origjinale nga familjet serbe, e pastaj duke i ndryshuar dosjet origjinale gjyqësore me dokumente të falsifikuara, i kishin zëvendësuar me dokumente të tjera të rreme.Prokurori ka thënë se në shumë raste, avokatët kishin vepruar sipas autorizimeve të ndërmarra nga anëtarët e familjes si dhe dokumentet e pranuara nga ata, ku shumë prej këtyre dokumenteve të autorizimit, sipas tij, ishin falsifikuar nga grupi, e në disa raste nga anëtarët individual të familjes, të cilët janë dyshuar se kishin bashkëpunuar ngushtë me grupin.Sipas tij, ata kishin nënshkruar dokumente të autorizimit për veten e tyre dhe kishin lehtësuar falsifikimin e këtyre nënshkrimeve të anëtarëve te tjerë të familjes, ku disa prej tyre kishin nënshkruar dokumente në bazë të mirëbesimit, ose nënshkrimet e tyre ishin falsifikuar.Ai ka deklaruar se kishte pasur raste të autorizimeve të vërtetuara nga persona që kishin qenë të vdekur, dhe se kishin lëshuar dokumente të falsifikuara që ishin përdorur për të ekzekutuar vendime gjyqësore të falsifikuara, duke u mundësuar në këtë mënyrë bartjen e pronave në emër të përfituesve në Zyrat Kadastrale të Prishtinës, pa miratimin e AKP-së.

“Do të vërtetohet se grupi për qëllime të veta kriminale ka korruptuar disa prej zyrtarëve në gjykatat e Republikës së Kosovës, dhe në zyrën kadastrale, dhe atë në një bazë të qëndrueshme afatgjate për këtë kanë korruptuar figura kryesore të cilët ishin në menaxhim të plotë të këtyre zyrave”, ka thënë prokurori.Sipas tij, ky grup kriminal kishte shitur parcela të tokës në njërën anë, duke e transferuar të gjithë pronësinë tek anëtarët e tjerë të grupit, ose tek individët e tjerë në baza miqësore, personale ose të biznesit, ku shumica e palëve të treta siç ka thënë ai, kishin qenë në dijeni se këto prona ishin të fituara përmes krimit, prejardhjes së paligjshme.Ai ka thënë se do të vërtetohet se disa anëtarë të grupit kriminal kishin fituar toka përmes blerjeve false dhe për të bërë pastrimin e parave, me synimi kryesor sigurimin e të ardhurave të rëndësishme dhe përfitim ekonomik nga shitjet e rrejshme, dhe për këtë arsye sipas prokurorit, ata kishin qenë të interesuar për t’iu shitur asete blerësve që do të paguanin një çmim të pranueshëm.

“Rendësi e veçantë është dëshmia e dëshmitarëve Nazim Bllacës dhe Fatmir Prapashtica, besueshmëria e të cilave deklarata është e padiskutueshme, ngase ato janë vlerësuar nga instancat më të larta të kësaj gjykate”, ka thënë prokurori.Por, mbrojtësi i Azem Sylës, avokati Besnik Berisha, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se në prill të vitit 2016, EULEX-it i ishin shuar shpresat për të zgjatur mandatin edhe për dy vite dhe i duhej një “kurban”, për të nisur një rast të madh, në prezencën e kamerave, gazetarëve u ishin treguar harta, vendime, lista poseduese, në mënyrë që të vijonte një aksion e të përfundojë me bastisje të shtëpisë së të mbrojturit të tij, me konfiskime dhe me arrestime.“Misioni i EULEX-it u arrit sepse ishte rast ‘Toka’ që për bindjen time i shërbeu për ta zgjatur misionin e vet, por nuk u arrit misioni për ta quar këtë rast asnjëherë përpara, sepse e lanë në gjysmë jo vetëm prokuroria, por edhe ata vet, dhe fatkeqësisht na ngeli ndër vite duke u zvarritur jo për fajin e kësaj gjykate”, ka thënë avokati Berisha.

Sipas tij, aktakuza për të akuzuarin Syla, mbështetet në dëshminë e Nazim Bllaces, “një mercenari, një krimineli të dënuar, të instruktuar jo vetëm nga prokuroria, por i cili kishte marrë instruksione edhe në shërbimin informativ të Serbisë”.“Ky dëshmitar bashkëpunues, një kriminel që pranon krimin çdoherë për të marrë beneficione për të mos u ndëshkuar asnjëherë, ky është Nazim Bllaca që këta dëshirojnë me denu z.Syla në emër të dëshmisë së tij. Dëshmitari për mua mercenari i paguar, instrukturuar, i trajnuar me vite përmend dhe lakon emrin e Azem Syles te këta njerëz. Pse e zgjodhi Azem Sylën? Sepse si shef i shtabit të UCK-së asokohe nuk presim që Nazim Bllaca të kishte një qasje tjetër vetëm si një agjent të shërbimit të Serbisë”, ka thënë avokati Berisha.Ai ka thënë se do të provohet se ia akuzuari Syla, asnjëherë nuk kishte krijuar grup të strukturuar, menaxhuar apo urdhëruar apo ndryshuar urdhra për plane organizative, sepse asnjë provë tjetër, përveç dëshmisë së Bllacës, nuk hetojnë asnjë provë materiale që ishte propozuar.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Shaban Syla, avokatja Adelina Hoxha-Shabani ka thënë se aktakuza nuk ishte ngritur mbi bazën e provave, por se dëshmi e vetme ishte dëshmia e dëshmitarëve Bllaca dhe Prapashtica, dëshmi të cilat, sipas avokates, nuk do të jetë esenciale për vendimin e gjykatës.Ajo ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i mbrojturi i saj, i akuzuari Shaban Syla ishte inkriminuar vetëm që aktakuza ndaj Azem Syles të ishte më e plotë dhe me e bindshme për qytetarët.Avokati Afrim Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Shpresim Uka, ka thënë se i mbrojturi i tij ishte akuzuar vetëm në bazë të dëshmisë së dëshmitarit Nazim Bllaca, i cili gjatë dhënies së dëshmisë në bazë të video-linkut, sipas avokatit shihet se dikush nga mbrapa e dirigjon për tu përgjigjur.Ai ka thënë se do të bindin trupin gjykues se pafajësia e të akuzuarit Uka ishte e pastër.Fjalën hyrëse në seancën e së martës e ka dhënë edhe mbrojtësi i Fahredin Gashit, avokati Gëzim Kollqaku, i cili ka thënë se nëse shikohej deklarata e dëshmitarit Bllaca, do të vërtetohet fajësia e të mbrojturit të tij, i cili sipas avokatit ishte i dëmtuar.

Avokati Basri Jupolli, mbrojtës i të akuzuarit Ramadan Uka, ka thënë se në shkresat e lëndës nuk gjendet asnjë provë e cila mund të faktojë se i mbrojturi i tij kishte kryer ndonjë veprim inkriminues.Ai ka thënë se aktakuza ishte ngritur me qellim të dhënies së një pompoziteti të përcjellë me një fushatë mediatike, e krejt kjo sipas tij, me qëllim të përfshirjes së sa më shumë njerëzve në pozita dhe funksione të ndryshme, në mënyrë që të pretendohet kinse kishte ekzistuar një grup i organizuar kriminal.“I mbrojturi im nuk ka qenë asnjëherë as pjesë e trurit të këtij grupit, e as anëtar i këtij grupi dhe kjo do të vërtetohet gjatë këtij procesi gjyqësor”, ka thënë avokati Jupolli.Mbrojtësi i të akuzuarit Arton Vila, avokati Driton Musliu ka thënë se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk kishte elemente të veprës penale të krimit të organizuar, pasi sipas tij, ai nuk kishte qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal, dhe se pozita e tij kishte qenë vetëm shofer.Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Avdyrrhaman Brajshori, avokatja Merita Bajraktari ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të saj, i cili sipas saj kategorikisht e kishte mohuar dhe kundërshtuar aktakuzën.Avokati Zhivojin Jokanoviq, mbrojtës i të akuzuarit Lubisha Vujoviq ka thënë se i mbrojturi i tij gjendet nën masën e paraburgimit, e cila masë sipas tij, paraqet një lloj hakmarrje për shkak të mos dëgjueshmërisë së ish-prokurorit ndërkombëtar Danilo Ciccarelli, i cili e kishte ngritur këtë aktakuzë.

Ai ka thënë se të mbrojturit të tij i ishte dërguar një kërcenim se gjatë do të mbetet i burgosur nëse nuk e pranon bashkëpunimin, mirëpo pasi ai kishte deklaruar se do të flas vetëm të vërteten, sipas avokatit, kjo kishte qenë arsyeja që prokurori nuk propozon masën e ndërprerjes së paraburgimit, si kompensim për mosbashkëpunim.Sipas tij, përfundimi i kësaj procedure gjyqësore do të sjellë aktgjykim refuzues për të mbrojturin e tij.Avokati Qerim Metaj, mbrojtësi i të akuzuarit Gazmend Gashi ka thënë se hetimet për këtë rast kishin filluar në vitin 2014, kurse hetimi ndaj klientit të tij kishte filluar dy muaj para se të ngritet aktakuza në vitin 2016.Gjithë aktakuza ndaj të akuzuarit Gashi, sipas avokatit Metaj, ishte bazuar në një gjysmë fjale të dëshmitarit Bllaca, i cili kishte deklaruar se kishte dëgjuar se ishte dhëndër i Nuhi Ukës, ndërsa dëshmitari Fatmir Prapashtica, sipas avokatit kishte deklaruar se kishte qëndruar në kafenenë “Flori”, mirëpo kishte thënë se nuk kishte pasur qasje në dokumentet e tokave.

Avokati Tomë Gashi, mbrojtës i Sabedin Haxhiut, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se i mbrojturi i tij si drejtor i Kadastrit në Prishtinë, nuk kishte kryer asnjë veprim jo ligjor që do të mund të kualifikohej si vepër penale, dhe se veprimet e tij i kishte kryer në bazë të dispozitave ligjore.Ai ka thënë se kur ai kishte regjistruar patundshmëritë në librat kadastral të Komunës së Prishtinës, kishte qenë i obliguar në bazë të vendimeve/aktgjykimeve të gjykatave kompetente dhe dokumenteve tjera zyrtare obligative për regjistrimin e patundshmërive të cilat të ligjshme apo të paligjshme kishin arritur persona të caktuar që t’i përfitojnë me aktgjykime gjyqësore, ndërsa sipas tij, asnjë zyrtar publik nuk kishte pasur të drejtë t’i kundërshtojë aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave.Avokati Berat Tmava, mbrojtës i Nyrtene Brajshorit ka thënë se PSRK-ja veprimet e të akuzuarës Brajshori i konsideron vetëm në supozime, pa pasur mbështetje në prova, andaj sipas tij me provat që do të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor, do të vërtetohet pafajësia e saj.Mbrojtësi i Sami Maqedoncit, avokati Basri Morina, ka thënë se aktakuza bazohet në deklaratën e një personi të dyshuar për disa vepra të rënda penale, prandaj sipas tij, besueshmëria e asaj deklarate ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e Maqedoncit.Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ndue Palushi, avokati Halim Kuliqi ka mohuar që i mbrojturi i tij kishte qenë anëtarë i ndonjë grupi kriminal, pasi sipas tij ai nuk kishte kryer asnjë transaksion dhe nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie ekonomike me të akuzuarit.Avokati Xhafer Maliqi, mbrojtës i Ramadan Mavrajt, ka thënë se do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturi i tij i cili ngarkohet me veprën penale shpëlarje e parave, pasi kishte blerë dy parcela nga i akuzuari Fahredin Gashi, dhe sipas aktakuzës provat që e mbështesin të njëjtën ishin deponimet e Bllacës.Mbrojtësja e Avni Maxhunit, avokatja Nora Veliu, mbrojtësja e të akuzuarës Elheme Uka, avokatja Mevlude Qerimi dhe avokatja Xhevahire Kloppner, mbrojtësja e Lumnije Spojanit kanë mbetur në tërësi pranë fjalës hyrëse të dorëzuar me shkrim.Ndryshe para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari Shaban Syla ka kërkuar që të ndërpritet seanca pasi nuk kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore, mirëpo kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra e ka vazhduar seancën, pasi sipas tij i akuzuari nuk kishte ndonjë dokumentacion mjekësor që nuk mund të marrë pjesë në gjykim.Por, në mes të seancës ai prapë ka deklaruar se nuk mund të qëndrojë pasi ishte i sëmurë. Mirëpo, edhe pasi gjykatësi Kalludra ia ka tërhequr vërejtjen që të respektojë autoritetin e gjykatës, ai prapë ka reaguar se nuk mund të qëndrojë në seancë, në këto rrethana gjykata e ka larguar atë nga salla e gjykimit.Në këtë seancë, avokati Gëzim Kollqaku, mbrojtës i Fahredin Gashi, ka kërkuar që në seancën e radhës të dëgjohen edhe personat që e kishin përpiluar ekspertizën mbi gjendjen mendore të të akuzuarit.Po ashtu, në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor ka reaguar edhe i akuzuari Lubisha Vujoviq, i cili ka thënë se në Republikës e Kosovës që nga viti 1999, asnjë person nuk kishte qëndruar 38 muaj në paraburgim sa ai, prandaj për shkak se ai nuk po trajtohej drejtë ka deklaruar se kishte hyrë edhe në grevë urie.Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet më 5 shtator 2019, në ora 09:00, në të cilën seancë do të dëgjohen dëshmitarët Fatmir Prapashtica, Faton Majanci, Eduard Gashi, Mexhit Syla, Dejan Laziq dhe Bademe Kelmendi.Ndryshe, në seancën e 16 majit 2019, gjykatësi Kalludra kishte njoftuar palët tjera se e akuzuara Shqipe Maxhuni kishte ndërruar jetë.Ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.Më 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedeck, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë, ndërsa pas ankesave në Gjykatën e Apelit, shkalla e dytë e kishte konfirmuar aktakuzën më 26 tetor 2017.Sedeck, fillimin e shqyrtimit gjyqësor e kishte caktuar, pas më shumë se një viti nga vendimi i Apelit, më 9 janar 2018, por e njëjta kishte dështuar për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues.Edhe pse kishte caktuar shumë seanca të tjera, gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin mundur që të fillojnë këtë shqyrtim, pasi EULEX-i hoqi dorë nga ky rast dhe lënda kaloi të gjyqtari vendor Beqir Kalludra.Ndërsa, pas disa dështimesh seanca e parë e këtij shqyrtimi ishte mbajtur më 3 shtator 2018.Ndryshe, as prokuroria e as mbrojtja nuk kanë dhënë fjalët e tyre hyrëse.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.Bashkë me Sylën akuzohet edhe Shaban Syla, Ilaz Syla, Mexhid Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Edvard Gashi, Sabedin Haxhiu, Ramadan Uka, Avdyrrhaman Brajshori, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj, Mustafë Haliti dhe Hajrullah BerishaAktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.