Raporti i PE-së i bën thirrje Bashkimit Evropian t’i pezullojë zyrtarisht negociatat me Turqinë

Në raportin e Parlamentit Evropian (PE) për Turqinë të vitit 2018 i bëhet thirrje Bashkimit Evropian për “pezullimin zyrtarë të negociatave të anëtarësimit me Turqinë”.

Raporti për Turqinë i vitit 2018 i hartuar nga anëtarja e Holandës në PE, Kati Piri, u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së me seli në Strasburg të Francës.

Raporti, ku i bëhet thirrje Bashkimit Evropian “t’i pezullojë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Turqinë” u miratua me 370 vota pro dhe 109 kundër, ndërsa abstenuan 143 parlamentarë.

Në këtë raport, që ka cilësi rekomanduese dhe nuk është detyrues, u renditën shumë elemente, të cilat shkaktuan reagimin e Turqisë.

Ndërkaq trafiku diplomatik mes Ankarasë dhe BE-së për dallim nga thirrja e bërë në raport nuk ka të ndalur.

Mbledhja e “Këshillit të Asocimit”, që është organi më i lartë vendimmarrës mes BE-së dhe Turqisë, pas gati 4 vitesh do të mbahet nesër në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës.

Mbledhja do të bashkëkryesohet nga ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogerini (Federica Mogherini).

Në këtë mbledhje që ka rëndësi të veçantë nga aspekti i vazhdimit të dialogut ndërinstitucional me BE-në do të marrë pjesë Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) Përgjegjës për Zgjerim, Johannes Hahn.

Gjatë kësaj mbledhjeje palët do të kenë rastin t’i bëjnë një vlerësim gjithëpërfshirës çështjeve rajonale dhe marrëdhënieve dypalëshe.

Në këtë kuadër pritet që në mbledhje gjithashtu të bisedohet edhe për çështje të ndryshme si liberalizimi i vizave për qytetarët turq, përditësimi i Unionit Doganor, pika e arritur në procesin e anëtarësimit dhe për bashkëpunimin në luftën kundër terrorit.