Rama: Jemi të angazhuar që fletarrestet e lëshuara nga Serbia të fshihen nga Interpoli

Kryeministri Edi Rama pas takimit me zyrtarë të AAK-së, tha se janë duke bërë përpjekje që fletarrestet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës të fshihen njëherë e përgjithmonë nga Interpoli dhe se e kaluara të mos përsëritet më.

“Ajo që unë dua të nënvizoj dhe që kemi ndarë me miqtë tanë se për ne procesi i Ramushit me përfundimin e tij që unë me gjithë zemër uroj dhe besoj do të jetë përfundimi që duam të gjithë. Nuk është fundi por është fillimi i një pune të përbashkët të qeverisë sonë dhe të Kosovës, për të fshirë përfundimisht këto lista njerëzish me urdhër arreste të një kohe që i përket të shkuarës dhe që na e shfaqet hera herës në këto forma të cilat na e kujtojnë se e shkuara është një kërcënim për ne dhe na obligon që të vazhdojmë së bashku me mjetet e paqes dhe të demokracie ta bëjmë të shkuarën të pakthyeshme dhe ta afrojmë sa më shumë të jetë e mundur të ardhmen që meritojnë fëmijët tanë”, ka përfunduar Rama.

Duke folur për rastin e Haradinajt, tha se presin një përfundim të mirë, duke shprehur bindjen se ai shpejt do të kthehet në Kosovë.