Rama dhe Zaev në Sarajevë: Me rëndësi rajoni të veprojë bashkarisht në treg

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, konsiderojnë se rajoni duhet të ketë treg të vetëm dhe një qasje të përbashkët për pjesën tjetër të Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Do të thoja se jemi në fazën kur pajtohemi lidhur me atë çka duhet bërë në rajon. Njëkohësisht, gjithnjë e më tepër kuptojmë se kjo është më lehtë të thuhet se të bëhet”, tha Rama në Takimin vjetor të Këshillit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.

Ai shtoi se është e qartë se nevojitet krijimi i tregtisë së lirë në një treg të vetëm, nëse dëshirohet të punohet në mënyrë rajonale.

“Përpjekjet që po bëhen në këtë drejtim na kanë mësuar se është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, sepse është një realitet tjetër kur kupton se problemet më të mëdha janë në detaje, gjëra të vogla. Nuk mendoj se duhet të presim që të bëhemi pjesë e BE-së në mënyrë që të kemi modelin tonë Shengen në rajon. Nuk ka shumë kuptim për mua që të mbetemi aq larg sa i përket komunikimit, lëvizjes dhe lirisë në hapësirë. Duhet të kemi një treg dhe hapësirë më të madhe për mundësi të ndryshme”, tha Rama.

Sipas tij, BE-ja po bëhet gjithnjë më shumë si Ballkani, gjithnjë më pak e parashikueshme.

“Ka kaluar koha e investimit në vende të qeta dhe të parashikueshme. Pra, mes realiteteve të ndryshme dhe të paparashikueshme, ne jemi më të mirët, sepse kemi taksa më të ulëta dhe kosto më të ulët të punës”, tha Rama duke iu drejtuar investitorëve.

Ai porositi se investimi në çdo vend të Ballkanit është i mirë. Kryeministri i Shqipërisë beson se është e rëndësishme që ky rajon të veprojë në mënyrë unike.

“Natyrisht, duhet të kalojmë nëpër reforma, duhet të bëhemi më të mirë pasi u bëmë më keq. Ne duhet të thellojmë reformat tona, jo vetëm në vendet e caktuara, por në rajon si një tërësi. Kjo është e vështirë”, shtoi Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, beson se “kemi nevojë për të ulur distancën, si ndërmarrjet ashtu edhe qytetarët”.

“Është e rëndësishme të bisedohet për ekonominë, veçanërisht gjatë kohëve të vështira, në drejtim të zgjidhjes së çështjeve politike në këtë rajon, sepse aspektet ekonomike janë mjaft të vlefshme dhe të rëndësishme për zgjidhjen e aspekteve të tjera. Ndoshta të gjithë ne, presidentët dhe kryeministrat, kanë të njëjtat qëllime, që është rritja e konkurrencës së kompanive tona dhe përmirësimi i bashkëpunimit rajonal”, tha Zaev.

Një nga sfidat më të mëdha, konsideron ai, është “të kemi ofertë të përbashkët për pjesën tjetër të Evropës”.

“Kemi prodhim të ndarë, ndërsa nëse bashkohemi, atëherë do të jemi në gjendje të ofrojmë më shumë produkte në treg. Pjesa tjetër e Evropës do të na vlerësojë më shumë nëse kemi bashkëpunim më të mirë mes nesh”, shtoi Zaev.

SHPËRNDAJE