Raketat, Rusia e Kina bashkë kundër SHBA

Rusia dhe Kina kanë thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas deklaratave se Uashingtoni do të zhvillojë dhe stacionojë sisteme raketore me rreze të mesme veprimi nëpër botë.

Moska dhe Pekini informojnë se axhenda e takimit ditën e enjte do të përqendrohet te kërcënimet që i kanosen paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes të hënën e kaluar njoftoi testimin me sukses të një rakete ndërkontinentale, e aftë të fluturonte te objektivi në një distancë mbi 500 km.

Shefi i dikasterit, Mark Esper, deklaroi të mërkurën se raketa-provë ishte mesazh për Kinën dhe Rusinë, që po ashtu zotërojnë armë të ngjashme në arsenalin e tyre.

Zhvillimet e fundit u komentuan një ditë më parë nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Putin theksoi se Moska ndjehet e kërcënuar dhe mund të kundërpërgjigjet, pasi ka informacione se baza raketash amerikane do të funksionojnë në Rumani, Poloni madje edhe Azi, në shtete afër kufijve rusë.

Pekini dhe së fundmi edhe Koreja e Veriut i kanë dënuar veprimet e SHBA-së, duke paralajmëruar se situata mund të përshkallëzojë nëse nuk hiqet dorë nga mentaliteti i ‘Luftës së Ftohtë’.

Raketat e reja amerikane do të ishin në kundërshtim me traktatin tashmë të anuluar për raketat ndërkontinentale mes SHBA-së dhe Rusisë.

Në nëntor, Pentagoni pritet të testojë një raketë me rreze edhe më të gjatë veprimi, deri në 1 mijë kilometra./Ora News