Rajonet jugore në Siri, shënjestër e re e regjimit të Asadit

Forcat e regjimit të Beshar al-Asadit në Siri janë duke u përgatitur të sulmojnë opozitarët në jug të vendit pas përfundimit të operacioneve në kryeqytetin Damask dhe pjesët qendrore, njoftuan burime të opozitës, raporton Anadolu Agency (AA).

Burimet opozitare informuan gazetarin e AA-së në qytetin Dera pranë kufirit me Jordaninë se grupi me emrin Tigrat pranë ushtrisë së regjimit kanë filluar të mobilizohen për të sulmuar rajonet e kontrolluara nga Ushtria e Lirë Siriane (ULS).

Nën kontrollin e opozitarëve në Dera gjenden dy pellgje kryesore, të cilat lidhen me njëri-tjetrin përmes një korridori të ngushtë përgjatë kufirit.

Ndërkaq, qendra e qytetit është e ndarë në dy pjesë, mes regjimit të Asadit në veri dhe forcave të ULS-së në jug.

Pritet që regjimi fillimisht të fillojë nga rajoni Laxhat dhe të sulmojë linjën përgjatë Bushra Harir dhe Sajda në drejtimin jugor.

Burimet e opozitës thonë se objektivi primar i regjimit është të marrë nën kontroll pikën kufitare Nasip që lidhet me Jordaninë.

Nasip është marrë nën kontroll nga ULS në mes të vitit 2015, duke ndërprerë një burim të rëndësishëm të ardhurash të regjimit.

Ndërkohë, pritet që operacioni i regjimit të Asadit në Dera të inicojë një val të madhe migrantësh drejt Jordanisë.

Mendohet se të paktën 200 mijë njerëz do të ikin nga sulmet dhe do të strehohen në Jordani.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në Jordanië aktualisht jetojnë 661 mijë refugjatë sirianë.

– Forcat iraniane tërhiqen pjesërisht

Sipas burimeve lokale, luftëtarët e huaj terroristë të mbështetur nga Irani janë tërhequr nga disa linja dhe qendrave komanduese.

Tërheqja në fjalë tani për tani sinjalizon se Brigadat Fatimijun dhe Zejnebijun, Brigada 313, Hezbollahu libanez dhe Hezbollahu irakian nuk do të marrin pjesë në sulmet në Dera.

– Bashkëpunimi SHBA-Rusi

E shpallur zonë e deeskalimit në maj të vitit të kaluar në kuadër të bisedimeve në Astana, Dera vetëm dy muaj më pas ishte larguar nga ky status dhe ishte shpallur zonë e sigurtë përmes një marrëveshjeje të arritur nga qeveria amerikane dhe ajo ruse.

Menjëherë pas marrëveshjes me Rusinë, SHBA dhe Britania kishin ndërprerë ndihmat që ofronte për opozitarët në linjën kufitare në bashkëpunim me ushtrinë jordaneze.

Ndërkohë, Washingtoni dhe Moska ende nuk kanë dhënë deklaratë zyrtare në lidhje me operacionin e regjimit në Dera, të shpallur si zonë e sigurtë nga këto dy shtete.