Rahovecin e merr uji, nxënësit barten në krahë nga prindërit për shkak të rrezikut

Pas temperaturave të larta që mbretëruan ditëve të fundit, vendi ynë sot u karakterizua me reshje shiu. Madje shiu që ra pasditen e sotme ka bërë që shumë rrugë të përshkohen nga uji, por ka shtuar edhe numrin e aksidenteve të trafikut.

Një nga qytetet më të prekura nga reshjet e shumta të shiut, ka qenë Rahoveci. Një gjendje kjo e jashtëzakonshme, pasi që rrugët i ka marrë tërësisht uji. Kjo ka bërë që të rrezikohen edhe banorët, në masë të madhe fëmijët, përcjellë Indeksonline.

Përmes këtyre imazheve madje mund të shihni se si një prind është duke bartur në krahë djalin e tij, i cili ka përfunduar mësimin në shkollë.

Ndryshe, ashtu si përherë, një tjetër qytet që s’është në gjendje më të mirë është edhe Prishtina. Shumë rrugë janë mbuluar nga uji, teksa janë krijuar tollovi dhe kolona të gjata në komunikacion.

Por, reshjet e shiut kanë rritur edhe numrin e aksidenteve, madje një i rëndë që ka përfunduar me të lënduar ka ndodhur në magjistralen Prishtinë – Gjilan, gjegjësisht në hyrje të fshatit Bresalc.

Sipas meteorologëve reshjet e shiut do të vazhdojnë deri në fund të kësaj jave.

SHPËRNDAJE