Qyteti i Homsit kalon nën kontrollin e regjimit sirian

Ka përfunduar evakuimi i civilëve dhe opozitarëve ushtarakë të cilët ishin të detyruar të largohen nga rajoni Vaer i rrethuar nga regjimi i Bashar al Asadit në Homs të Sirisë. Me largimin e afërsisht 25 mijë personave nga rajoni në fjalë, qendra e prefekturës së Homsit ka kaluar nën kontrollin e plotë të regjimit të Asadit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportimeve të gazetarëve të AA-së në Idlib, autokolona e fundit me 1.115 persona është ndarë nga Vaeri mbrëmë në orët e vona.

Nga personat e evakuuar, 1.003 kanë ardhur në Jarabulusin e pastruar nga organizatat terroriste në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit”, kurse pjesa e ngelur në Idlib, qytet i kontrolluar nga opozitarët që gjendet në kufirin me Turqinë.

Rajoni i Vaerit, i cili ndodhet nën rrethimin e ushtarëve të regjimit prej katër vitesh, në muajin shkurt ishte shndërruar në shënjestër të sulmeve të forcave të regjimit.

Vaeri ishte rajoni i fundit nën kontrollin e opozitarëve në qendër të prefekturës së Homsit, ndërsa në pesë muajt e fundit nuk është lejuar as hyrja e ndihmave humanitare të Kombeve të Bashkuara.

Palët ranë dakord më 13 mars me ndërmjetësimin e Rusisë, me çka opozitarët pranuan të largohen nga Vaeri.

Nga ana tjetër, regjimi i Asadit brenda një viti ka marrë nën kontroll gjashtë rajone të opozitarëve në perëndim të Damaskut.

Me evakuimin e civilëve dhe opozitarëve ushtarakë, qytezat Darejja, Muaddamije dhe Han esh-Shejh dhe fshatrat përreth kaluan nën kontrollin e regjimit.

Edhe banorët e Halepit lindor ishin evakuuar në muajin dhjetor nën garantimin e Turqisë dhe Rusisë.

Ndërkaq, në muajin janar u bë evakuimi i civilëve dhe opozitarëve nga Lugina Barada në perëndim të Damaskut, ku regjimi kishte intensifikuar sulmet pas Halepit.

Së fundmi, muajin e kaluar u zbrazën qytezat Zebadani dhe Madaja ndërsa këtë muaj lagjja Kabun në lindje të Damaskut.