Qytetarët në hall nga hajnat, 252 grabitje për 11 muaj në Kosovë

Grabitja me armë në mes të ditës tashmë është bërë rutinë për hajnat në Kosovë. Në 11 muaj të këtij viti u shënuan 252 raste të vjedhjeve.

Këtë të hënë është plaçkitur banka BKT në mes të ditës, derisa ende nuk ka të arrestuar për rastin në fjalë. Edhe të hënën e javës së kaluar, ishte plaçkitur një bankë tjetër, ajo e TEB në lagjen “Daradania”, në Prishtinë.

Ndërsa, një rast i rëndë ka ndodhur në lagjen Veternik të Prishtinës. Pronari i një shtëpie ka lënë të vdekur njërin nga katër hajnat që hynë për të vjedhur në shtëpinë e tij, shkruan lajmi.net.E lidhur me grabitjet në vend, Policia në një përgjigje për lajmi.net ka thënë nga janari deri ne nëntor të këtij viti janë evidentuar 252 raste të grabitjeve, derisa gjatë viti 2017 janë evidentuar 290 raste.“Gjatë vitit 2017 në tërë territorin e vendit janë evidentuar 290 raste të veprës penale, grabitje, kurse këtë vit (1 janar- 30 nëntor) janë evidentuar 252 raste të tilla”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për lajmi.net.

Policia e Kosovës ka goditur 13 grupe kriminale që dyshohet që janë përfshirë në këto raste, ku janë arrestuar 32 persona të dyshuar të cilët janë në paraburgim, kurse 6 të dyshuar të tjerë, të identifikuar nga policia janë në arrati.“Policia, në rajonin e Prishtinës, gjatë dhjetëmujorit të parë të parë të këtij viti, pas hetimeve intensive në zbardhjen dhe arrestimin e kryerësve të grabitjeve me armë, ka goditur 13 grupe kriminale që dyshohet që janë përfshirë në këto raste, janë arrestuar 32 persona të dyshuar të cilët janë në paraburgim (prej tyre ka persona që dyshohet se kanë kryer me shume se dy grabitje), kurse 6 të dyshuar të tjerë, të identifikuar nga policia janë në arrati. Po ashtu të arrestuar dhe dërguar para organeve të drejtësisë ka edhe të dyshuar të tjerë në rajonet tjera edhe pse në rajonet tjera ka dukshëm më pak raste të tilla”, thuhet në përgjigjen e PK-së për lajmi.net.

Po ashtu, policia ka thënë se rastet me serioze të grabitjeve janë ato me armë, ku caku kryesor i tyre janë bizneset, bankat, shtëpitë etj.“Grabitja si vepër penale kryhet në rrethana të ndryshme, por raste me serioze të grabitjeve janë ato me armë. Po ashtu grabitësit kanë pasur caqe të ndryshme si biznese, banka, shtëpi banimi e edhe grabitjen e gjësendeve nga dora apo krahu (grabitje të telefonave apo çantave të krahut). Policia, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe arrestimit të kryerësve të këtyre akteve ka realizuar dhe ka zbatuar plane operative dhe taktike”.

SHPËRNDAJE