Qytetarët e Kosovës sot zgjedhin përfaqësuesit e institucioneve komunale

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, sot duke filluar nga 07:00 do mund të votojnë për të zgjedhur udhëheqësit komunalë, kryetarët dhe asambletë komunale, në 38 komuna të Kosovës.

899 qendra të votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në ora 19:00, ndërsa do të votohet në 2505 vendvotime.

Në këto zgjedhje garojnë 204 kandidatë për kryetar komunave dhe 6887 kandidatë për asambletë komunale.

Për zgjedhjet lokale të 22 tetorit janë të regjistruar 1 milion e 890 mijë e 952 qytetarë me të drejtë vote, prej tyre 18 mijë e 11 janë votues të rinj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar më shumë se 200 kandidatë, 91 subjekte politike, një koalicion, 30 nisma qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 7080 kandidatë për asamble komunale.

Zgjedhjet e 22 tetorit do të vëzhgohen nga rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara, OJQ-të vendore, organizatat ndërkombëtare, ambasada, media vendore dhe ndërkombëtare

Zgjedhjet e reja përveç angazhimit të shumë njerëzve, do ta kenë edhe një kosto prej 4.5 milionë deri në 5 milionë euro.